Business Process Outsourcing (BPO) është identifikuar si një nga fushat prioritare me potencial inovativ gjatë fazës mapping të zhvilluar në kuadër të Strategjisë për Specializimin Inteligjent (S3). Hartimi i S3 është pjesë e detyrimeve të Shqipërisë sa i takon procesit të negociatave për anëtarësim në BE, specifikisht Kapitullit 20 “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale” dhe Kapitullit 25 “Shkenca dhe Kërkimi”, si dhe pjesë e planit të veprimit të Ballkanit Perëndimor 2021-2024, në kuadër të procesit të Berlinit, gjithashtu, pjesë e agjendës së BE për inovacionin për Ballkanin Perëndimor 2021-2027.
Në këtë kontekst, Ekipi Kombëtar i S3, nën kujdesin e veçantë të Zëvendëskryeministres, znj. Belinda Balluku, dhe me mbështetjen e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë dhe të ABSL Shqipëri, organizoi, sipas metodologjisë së Qendrës së Përbashkët Kërkimore të Komisionit Evropian (JRC), një workshop kombëtar për sektorin e BPO në datën 15 maj 2023.
Në këtë event morën pjesë rreth pesëdhjetë përfaqësues nga helika e katërfishtë (qeveri, akademi, biznes, shoqëri civile), të cilët ndanë eksperiencat e tyre në fushën e BPO dhe pikëpamjet për zhvillimin inteligjent në BPO.
Takimi u çel me fjalën përshëndetëse të znj. Linda Pustina, kryetare e Ekipit Kombëtar të S3 dhe këshilltare e Zëvëndëskryeniministres, e cila nënvizoi vëmendjen e veçantë që qeveria po i dedikon Strategjisë S3. Z. Arben Shkodra, ekspert i Ekipit Kombëtar, shpjegoi për të ftuarit metodologjinë e punës që do të ndiqej përgjatë workshop-it dhe prezantoi rëndësinë e procesit EDP në Shqipëri. Pjesë e panelit ishin gjithashtu, znj. Florensa Haxhi, eksperte e Ekipit Kombëtar të S3 dhe z. Osvaldo La Rosa, ekspert i politikave publike pranë Agjencisë Kombëtare për Kohezionin dhe Zhvillimin Teritorial, Romë, Itali, i angazhuar në procesin e EDP në Shqipëri nga JRC e Komisionit Evropian.
Pjesëmarrësit u ndanë në disa tavolina, ku secila tavolinë kishte përfaqësues nga të katër helikat. Në pjesën e parë të worshop-it, çdo tavolinë zhvilloi analizën SWOT të sektorit, ku u evidentuan pikat e forta dhe avantazhet e sektorit të BPO në Shqipëri, dobësitë dhe pengesat që ekzistojnë për rritjen ekonomike të bazuar në inovacion, mundësitë dhe fushat ku sektori mund të zgjerojë aktivitetet e tij bazuar në pikat e tij të forta, si dhe kërcënimet dhe konkurrencën globale. Më pas, tavolinat shprehën vizionin e tyre për sektorin, synimet, objektivat, burimet e nevojshme për arritjen e vizionit, dhe rezultatet e pritshme në periudhë afatgjatë. Secili grup evidentoi, gjithashtu, politikat që nevojiten për implementimin e sugjerimeve dhe objektivave të vendosura. Në pjesën e dytë të workshop-it çdo facilitator prezantoi gjetjet e tryezës së tij.
Ky workshop u realizua në vazhdën e tryezës së rrumbullakët të organizuar disa javë më parë në kuadër të takimeve EDP. Përfundimet e dala nga ky workshop do të analizohen, vlerësohen dhe përfshihen në raportin përfundimtar të EDP, që do të shërbejë si bazë për hartimin e strategjisë S3.