Në kuadër të hartimit të Strategjisë të Specializimit Inteligjent (S3), për të evidentuar sektorët potencialë prioritarë për zhvillim ekonomik të vendit në mënyrë inteligjente, është kryer një analizë objektive e situatës aktuale të vendit për sa i përket situatës ekonomike, kërkimit shkencor dhe inovacionit e quajtur analizë sasiore dhe cilësore (faza mapping). Në këtë mënyrë u identifikuan 6 fusha prioritare, ku Shqipëria duhet të specializohet në mënyrë inteligjente:
1. Bujqësia, Peshkimi dhe Pylltaria
2. Industria Përpunuese (Manifacturing)
3. Energjia
4. Turizmi
5. Informacioni dhe Teknologjitë e Komunikimit (ICT)
6. Business Process Outsourcing (BPO)
Nga analiza kualitative, fushat e mëposhtme ndërsektoriale mund të konsiderohen për mundësi të mëtejshme vlerësimi:
1. Blue Economy
2. Healthy Food
3. Renewable Resources Energy
4. Extended BPO
Bashkëpunimi me aktorët e interesuar sipas qasjes së “Helikës së Katërfishtë”, ku marrin pjesë përfaqësues nga qeverisja qendrore e lokale, bota akademike, biznesi e shoqëria civile, përbën elementin kryesor që qëndron në themelin e hartimit të S3. Në këtë kontekst, me qëllim vlerësimin e potencialit të plotë për një specializim inteligjent të fushave prioritare të identifikuara gjatë fazës së mapping, janë zhvilluar një sërë tryezash të rrumbullakëta, workshop-e kombëtare si edhe workshop-e rajonale me vendet fqinje, me aktorët e helikës së katërfishtë gjatë Procesit të Zbulimit përmes Sipërmarrjes (EDP – Enterpreneurial Discovery Process).
Bujqësia, Peshkimi & Akuakultura, dhe Pylltaria
Bujqësia është evidentuar si një nga sektorët prioritarë që shfaq perspektivë pozitive për zhvillim në mënyrë inteligjente, në kuadër të hartimit të Strategjisë së Specializimit Inteligjent (S3). Në raportin e mapping të S3 ku u realizua “Analiza sasiore e cilësore e kapaciteteve, burimeve dhe potencialeve ekonomike, kërkimore-shkencore e inovative për specializim inteligjent” (2022), një nga fushat prioritare që u identifikua është dhe Bujqësia. Inovacioni teknologjik në sektorin e bujqësisë konsiderohet shumë i rëndësishëm për të ulur kostot, për të rritur produktivitetin, prodhimin, të ardhurat e strukturave/njësive, si edhe plotësimin e boshllëqeve në tregun e punës. Në sektorin e bujqësisë janë vërejtur kohët e fundit përvoja interesante që lidhen me përdorimin e zgjidhjeve të robotizimit dhe automatizimit, apo investimet në inovacion.
Manufacturing (Industria Përpunuese)
Sektori i Industrisë Përpunuese është identifikuar si një ndër sektorët potencialë prioritarë për zhvillimin ekonomik të vendit në mënyrë inteligjente gjatë fazës së mapping të S3. Industria Përpunuese ka përfaqësuar dhe vazhdon të përfaqësojë një pjesë të rëndësishme të të gjithë ekonomisë shqiptare, duke krijuar për vite me radhë vende të reja pune, prandaj edhe zhvillimi i mëtejshëm i kësaj fushe në mënyrë inteligjente do të ishte me interes për vendin. Përfshirja e metodave inovative dhe përdorimi i teknologjisë moderne në Industrinë Përpunuese, mund të përkthehet në vlerë të shtuar për ekonominë shqiptare në të ardhmen. Potenciali që ofron tregu shqiptar sot ka të bëjë kryesisht me shfrytëzimin e avantazheve konkurruese, duke nisur nga kostot e ulëta të prodhimit, deri në ofrimin e produkteve finale cilësore. Me qëllim vlerësimin e potencialit të plotë të potencialit për një specializim inteligjent të Industrisë Përpunuese janë zhvilluar një sërë tryezash të rrumbullakëta dhe një workshop kombëtar, ku u angazhuan aktorë nga helika e katërfishtë, me në fokus disa nënsektorë si: Industria Përpunuese e Drurit, Industria Përpunuese Tekstile dhe e Lëkurës, Industria Përpunuese e Lëndëve të Para Minerare, Industria Përpunuese Automotive, Industria Përpunuese e Materialeve të Ndërtimit.
Sektori i energjisë është një nga gjashtë fushat, e cila, sipas mapping ka rezultuar se, për shkak të potencialit që mbart, mund të ndihmojë në zhvillimin e ekonomisë shqiptare, nëse specializohet në mënyrë inteligjente. Pikërisht nëpërmjet Strategjisë së Specializimit Inteligjent (S3), shteti shqiptar synon të hartojë një strategji ndërsektoriale për të identifikuar fushat prioritare. Kjo strategji ka për qëllim të krijojë një avantazh konkurrues dhe të shtojë vlerën në ekonominë shqiptare për të ardhmen. S3 është një strategji e kushtëzuar nga Bashkimi Evropian për vendet anëtare dhe vendet kandidate, siç është edhe Shqipëria si pjesë e agjendës së Ballkanit Perëndimor.
Turizmi është evidentuar si një nga sektorët prioritarë që shfaq perspektivë pozitive për zhvillim në mënyrë inteligjente, në kuadër të hartimit të Strategjisë së Specializimit Inteligjent (S3). Ky sektor është një nga sektorët strategjikë që ndikon në rritjen e ekonomisë së qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse përmes tërheqjes së investimeve vendase dhe të huaja, rritjes së punësimit dhe promovimit të sektorëve të tjerë të ekonomisë të lidhur me të. Zhvillimi i teknologjive digjitale dhe aplikimi i ideve inovative mundëson shfrytëzimin e potencialit të plotë të teknologjive të sektorit të turizmit sa i takon specializimit inteligjent. Integrimi i qasjeve inovative dhe implementimi i teknologjive bashkëkohore në nënsektorët e turizmit si: turizmi bregdetar; turizmi malor; turizmi i kujdesit shëndetësor dhe agroturizmi, janë në fokus të aktiviteteve të zhvilluara sa i takon S3. Analizat e detajuara të kapaciteteve të zhvillimit dhe avantazheve konkurruese të vendit, vlerësuar gjatë fazës mapping të S3, identifikojnë turizmin si një fushë ku inovacioni dhe specializimi inteligjent do të përkthehet në vlerë të shtuar për ekonominë shqiptare në të ardhmen.
ICT (Information Communication Technology)
Sektori i ICT është identifikuar si prioritar përgjatë procesit të analizës së mapping të S3. Ky sektor mund të specializohet në mënyrë inteligjente dhe të ofrojë një vlerë të shtuar në ekonomi. E veçanta e fushës prioritare ICT është aplikimi edhe në sektorët e tjerë të identifikuar nga analiza e fushave prioritare, duke mundësuar inovacionin dhe digjitalizimin e proceseve të prodhimit dhe shërbimit, për aktorët e interesuar. Në këtë kuadër, inovacioni në sektorë të ndryshëm të ekonomisë konsiderohet një zgjidhje e shkëlqyeshme në drejtim të diversifikimit të tregut drejt produkteve dhe shërbimeve digjitale inovative.
BPO (Business Process Outsourcing)
BPO është evidentuar si një nga sektorët me një potencial të spikatur zhvillimi në Shqipëri, vecanërisht për sa i përket investimeve të huaja dhe punësimit të të rinjve në ditët e sotme. Me zhvillimin e mëtejshëm të sektorëve teknologjikë, industria e BPO pritet të rritet me ritme të shpejta, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, duke ofruar kështu vende të reja pune si dhe rritjen e pranisë së bizneseve të huaja në vend. Sektori i BPO është identifikuar si prioritar përgjatë procesit të analizës së fushave prioritare që bëjnë të mundur një specializim inteligjent të ekonomisë, për shkak të avancimit të teknologjive digjitale, si dhe mundësive të reja për investim. Integrimet e mëtejshme, specifikisht në sektorin e IT, konsiderohen nga stakeholders (palët e interesuara) si një rrugë e mundshme zhvillimi për industrinë e BPO, duke kryer investime në lidhjen digjitale, shpërndarjen e energjisë dhe promovimin ekonomik të sektorit, duke ofruar në këtë mënyrë shërbime me vlerë të shtuar. Njëkohësisht, sektori do të këtë mundësi të penetrojë në segmente të vlefshëm me kosto më të ulëta.