Sektorët e Bujqësisë së Qëndrueshme dhe Zinxhirit të Vlerave Ushqimore, Turizmit të Qëndrueshëm dhe Shëndetësor dhe ICT janë identifikuar si sektorë prioritarë me potencial inovativ gjatë fazës së mapping të S3 dhe me interes në bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Në këtë kontekst, Ekipi Kombëtar Shqiptar i S3, në bashkëpunim me Ekipin Kombëtar të S3 të Malit të Zi, nën kujdesin e veçantë të Zëvendëskryeministres së Shqipërisë, znj. Belinda Balluku dhe me mbështetjen e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë dhe Dhomës Ekonomike të Gruas, organizoi sipas metodologjisë së Qendrës së Përbashkët Kërkimore të Komisionit Evropian (JRC), një workshop rajonal mbi Bujqësinë e Qëndrueshme dhe Zinxhirin e Vlerave Ushqimore, Turizmin e Qëndrueshëm dhe atë Shëndetësor dhe ICT, më date 17 Korrik 2023.
Në këtë event, morën pjesë rreth 50 përfaqësues nga helika e katërfishtë e të dy vendeve (qeveri, akademi, biznes, shoqëri civile), të cilët ndanë eksperiencat e tyre, pikëpamjet për zhvillimin inteligjent të këtyre sektorëve, si edhe për forcimin e bashkëpunimit mes 2 vendeve.
Takimi u hap nga znj. Linda Pustina, kryetare e Ekipit Kombëtar të S3, Shqipëri, Këshilltare e Zëvendëskryeministrit, dhe znj. Marijeta Barjaktarović Lanzardi, kryetare e Ekipit Kombëtar S3, Mali i Zi, Drejtore e Përgjithshme e Drejtorisë për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik në Ministrinë e Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik. Pjesë e panelit ishin gjithashtu, znj. Florensa Haxhi, eksperte, anëtare e Ekipit Kombëtar të S3, Shqipëri, znj. Aleksandra Mugosa, Këshilltare për Bashkëpunim Rajonal, Ministria e Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik, Mal i Zi, si edhe znj. Klodjana Ajazi, Drejtore Ekzekutive, Dhoma Ekonomike e Gruas, Shqipëri, të cilët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në kontekstin e procesit të Berlinit dhe objektivat e përbashkëta, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit dypalësh Shqipëri – Mal i Zi.
Pjesëmarrësit u ndanë në grupe pune (tryeza), sipas tematikës, ku secili grup përmbante anëtarë të katër helikave nga të dy vendet. Diskutimet u zhvilluan të ndara në tre sesione. Sesioni parë, nisi me evidentimin e sfidave dhe mundësive në sektorin e Bujqësisë së Qëndrueshme dhe Zinxhirit të Vlerave Ushqimore, Turizmit të Qëndrueshëm dhe Shëndetësor dhe ICT në Shqipëri dhe Mal të Zi, duke identifikuar pikat e përbashkëta dhe potencialin e bashkëpunimit në sektorët prioritarë. Gjithashtu, aktorët e katër helikave diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar, përfshirë shkëmbimin e përvojave, zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe krijimin e platformave bashkëpunuese. Puna në grup e pjesëmarrësve vazhdoi më tej me diskutime mbi mundësitë e bashkëpunimit dhe financimit për nismat e projektet për tre sektorët e sipërcituar mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Në këtë sesion theksi u vendos në identifikimin e strategjive për të përmirësuar aksesin në financim, sigurimin e burimeve financiare për projekte inovative dhe rritjen e kapaciteteve, për të përmbushur objektivat e Specializimit Inteligjent. Në sesionin e fundit, diskutimi u përqëndrua në propozimin e nismave dhe projekteve konkrete, si dhe identifikimin e burimeve të nevojshme për suksesin e tyre në të ardhmen.
Ky workshop rajonal u realizua në vazhdën e tryezave të rrumbullakëta dhe workshop-eve kombëtare të zhvilluara më parë në kuadër të Strategjisë së Specializimit Inteligjent. Përfundimet e nxjerra nga ky takim do të shërbejnë për hartimin e Strategjsë S3, për prioritetet e bashkëpunimit mes dy vendeve në kontekstin e S3, si edhe për të përgatitur dokumentin “Rekomandime mbi politikat për rritjen e konkurrueshmërisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe rajonit në tërësi”, që do të prezantohet në Samitin e Ballkanit Perëndimor që do të mbahet në tetor të 2023 në Tiranë.
Report of Bilateral Workshops