Strategjia e Specializimit të Zgjuar (Smart Specialisation Strategy - S3) në Shqipëri: Një qasje e re strategjike për inovacionin
Qasja e Specializimit të Zgjuar
Vitet e fundit, vendet dhe rajonet në Bashkimin Evropian (BE) kanë zhvilluar Strategjitë e Specializimit të Zgjuar (S3) si një mjet i ri për nxitjen e inovacionit dhe zhvillimit rajonal. Qasja S3, që po fiton interes në rritje në mbarë botën, është e bazuar në vendin respektiv dhe synon të identifikojë disa fusha prioritare të ekonomisë rajonale/kombëtare ku ndikimi i investimeve publike në kërkim, zhvillim dhe inovacion mund të jetë shumë i rëndësishëm. Ai thekson potencialin e lidhjeve ndërsektoriale, përveç industrive tradicionale dhe promovon diversifikimin në bazë të këtyre lidhjeve. Duke qenë se S3 është një proces me pjesëmarrje të gjerë gjithëpërfshirëse, fushat prioritare nuk duhet të përcaktohen nga lart-poshtë vetëm nga politikëbërësit, por përkundrazi duhet të bien dakord përmes një dialogu gjithëpërfshirës midis palëve të interesuara në të gjithë sektorët dhe territorin, i quajtur si Enterpreneurial Discovery Process (EDP). Kjo përfshin ministritë dhe agjencitë qeveritare, sektorin privat, akademinë, institutet kërkimore dhe shoqërinë civile.
Në ditët e sotme, një fokus i fortë në politikat e inovacionit është edhe më urgjent për shkak të nevojës në rritje për të adresuar sfidat shoqërore të dekadës së fundit.
Realizimi i S3 në vendet e Ballkanit Perëndimor duhet parë brenda kontekstit të strategjisë së zgjerimit të BE-së, e cila ofron një perspektivë pranimi dhe parashikon mbështetje për disa fusha të politikave, duke përfshirë zhvillimin socio-ekonomik.
Procesi i dizenjimit të S3 në Shqipëri
Shqipëria filloi procesin e projektimit të S3 të saj në vitin 2016 nën përgjegjësinë e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Vendimi lidhej edhe me reformën e arsimit të lartë, si nevojë për një bashkëpunim më të mirë mes institucioneve të arsimit të lartë (IAL) dhe bizneseve për një përafrim më të mirë me objektivat e zhvillimit rajonal dhe kërkesat e tregut të punës. Një event kombëtar i organizuar në dhjetor 2016 me mbështetjen e TAIEX mblodhi së bashku një numër të madh aktorësh dhe institucionesh dhe, nga tryezat e rrumbullakëta, u krijua një grup pune informal me ekspertë të ndryshëm. Ai punoi me qëllim zhvillimin e S3 deri në zyrtarizimin e tij në vitin 2018. Në vitin 2017 Shqipëria u regjistrua në platformën e Qendrës së Përbashkët të Kërkimit (JRC) të Komisionit Evropian për S3 dhe në vitin 2018 grupi informal i punës me përfaqësues nga institucione të ndryshme, duke përfshirë biznesin dhe akademinë, është zyrtarizuar me urdhër të ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Më shumë aktorë kryesorë u përfshinë duke krijuar një grup më të gjerë si vijon: Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, Unioni Kombëtar i Prodhuesve, Agjencia për Zhvillimin Rajonal, IAL-të, Bashkia Tiranë, etj. Ekipi i S3 krijoi gjithashtu Ekipin Analitik Kombëtar me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga institucione të ndryshme dhe ekspertë si INSTAT, Departamenti i Statistikave në Universitetin e Tiranës, AIDA, Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale, etj. U organizuan disa aktivitete për hartimin e S3 dhe seminare trajnimi për ngritjen e kapaciteteve.
Ndërkohë, S3 u bë pjesë e agjendës rajonale të WB6, si pjesë e shtyllës Smart Growth në MAP REA (përgjegjëse ishte Ministria e Financave dhe Ekonomisë), si dhe pjesë e dy kapitujve në kuadër të integrimit europian të Shqipërisë. Për të ndihmuar ekonomitë e Ballkanit Perëndimor në procesin e projektimit të S3 respektivë, JRC e KE-së ka zhvilluar një Kuadër të S3 që përfshin të gjithë hapat që parashikohet të ndiqen deri në draftimin përfundimtar të dokumentit strategjik dhe që mund të përdoret si udhëzues.
Ekipi shqiptar S3 hartoi një Udhërrëfyes për S3 bazuar në Kuadrin e JRC dhe deri më tani janë ndërmarrë disa hapa për të zhvilluar një Strategji në nivel kombëtar por duke mbajtur parasysh perspektivën rajonale me fokus në potencialin e 12 qarqeve të Shqipërisë.
Identifikimi i fushave prioritare të S3 për Shqipërinë
Shqipëria finalizoi hapat e parë të analizës së kontekstit, sipas Kuadrit S3, nëpërmjet hartëzimit sasior dhe cilësor të potencialit ekonomik, inovativ, shkencor dhe teknologjik të vendit. Raportet respektive kanë kryer një identifikim të parë të atyre fushave ekonomike dhe prodhuese që mund të konsiderohen potencialisht në përzgjedhjen e fushave prioritare për S3.
Dy studimet kanë identifikuar si prioritete paraprake të S3:
➢ (NACE A) – Bujqësinë, pylltarinë dhe peshkimin
- A01.6 - Mbështetjen e aktiviteteve për bujqësinë dhe aktivitetet e kulturave pas vjeljes
- A03.21 - Akuakulturën detare
- A03.1 - Peshkimin
➢ (NACE C) – Prodhimin (Manifacturing)
- C10.8 – Prodhimin e produkteve të tjera ushqimore
- C24.5 - Derdhjen e metaleve
➢ (NACE D) – Energjinë
- D35.1 - Prodhimin, transmetimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike
➢ (NACE I) – Akomodimin dhe aktivitetet e shërbimit mbështetës
(Turizmin)
- I55.9 - Akomodime të tjera
➢ (NACE J) – Informacionin dhe Komunikimin
- J61.3 - Aktivitetet e telekomunikacionit satelitor
- J62.09 - Teknologji të tjera të informacionit
➢ (NACE N) – Aktivitetet e shërbimit administrativ dhe mbështetës
- N82.2 - Aktivitetet e call centers
- N82.9 - Aktivitetet e shërbimeve mbështetëse të biznesit
Nga analiza kualitative, fushat e mëposhtme ndërsektoriale mund të konsiderohen për mundësi të mëtejshme vlerësimi. Për këtë qëllim, diskutimi brenda EDP-së do të jetë në gjendje të konfirmojë, integrojë dhe specifikojë shtigjet e reja - dinamikat e krijimit dhe ndërhyrjet dhe investimet e synuara:
➢ Blue Economy
➢ Healthy Food
➢ Renewable resources energy
➢ Extended BPO
Në këtë raport citohet se përsa i përket mundësive që vijnë nga jashtë vendit, funksionimi i AIDA-s, sistemi rregullator dhe programor, si dhe disa programe specifike (si për diasporën) mund të përfaqësojnë një pikënisje me një potencial të madh, për t'u shoqëruar gjithsesi me zbatim të shpejtë dhe efektiv.
Raportin e plotë për mapping gjendet në linkun:
https://publications.jrc.ec.europa.eu/repository/handle/JRC130660
Hapi i rradhës: Enterpreneurial Discovery Process (EDP)
Koncepti i EDP thekson rëndësinë e përfshirjes së lojtarëve kryesorë dhe novatorë të mundshëm në përcaktimin e fushave prioritare. EDP pranon se qeveria rajonale ose kombëtare nuk ka urtësi të lindur ose njohuri ex-ante për prioritetet e ardhshme. Kjo fazë vjen pas asaj të hartëzimit dhe synon të thellohet në sektorët dhe nënsektorët e identifikuar më parë dhe të diskutohet për nevojat dhe instrumentet (politikat, masat dhe ato financuese) që duhet të ndërmerren në mbështetje të inovacionit, si dhe të eksplorojë dhe definojë më tej sektorët që në bazë të konsultimeve mund të rezultojnë me më pak apo më shumë interes nga palët e interesuara krahasuar me sektorët e paraidentifikuar. EDP do të organizohet përmes grupeve të punës në të gjithë vendin me pjesëmarrjen e ekspertëve. Grupet e punës do të përfshijnë palët e interesuara nga spiralja e katërfishtë - politikëbërësit, akademikët, sipërmarrësit dhe shoqëria civile, do të identifikojnë sfidat dhe nevojat, si dhe aktivitetet novatore dhe do të informojnë qeverinë. Ky proces konsultativ dhe pjesëmarrës është ajo që e dallon kryesisht S3 nga politikat tradicionale industriale dhe të inovacionit. Të dhënat/gjetjet nga grupet e punës së EDP do të plotësojnë rezultatet e marra nga faza e hartëzimit dhe do të zhvillohen më tej për hartimin e S3 përfundimtar.
Gjatë EDP-së në Shqipëri janë parashikuar lloje të ndryshme eventesh: evente kombëtare, workshope sektoriale, tryeza të rrumbullakëta, takime dypalëshe me vende ndërkufitare, intervista, etj. Ekspertët kombëtarë të S3 do të lehtësojnë diskutimin dhe do të ndihmojnë në mbledhjen e të dhënave. Përmes ekspertizës së siguruar nga JRC është mundësuar dhe finalizuar faza e parë e EDP: metodologjia dhe kalendari i aktiviteteve (rreth 30 aktivitete kombëtare, 5 bilaterale me vendet fqinjë). JRC identifikoi ekspertët që do të angazhohen në organizimin e aktiviteteve gjatë fazës së EDP dhe përgatitjen e raporteve të eventeve të cilët do të ndihmojnë në përgatitjen e një raporti final për fazën e EDP.
Fazat Vijuese
Faza e EDP do të pasohet nga faza e përgatitjes dhe dizenjimit të sistemit të monitorimit, implementimit dhe financimit, pas të cilës, bazuar në gjetjet e ndryshme sipas fazave do të përgatitet dokumenti i S3.
Koordinimi ndërinstitucional dhe aktorët e përfshirë
Përmes urdhërit të Kryeministrit, është ngritur Komiteti Ndërministror, i ngarkuar me ndjekjen, hartimin dhe implementimin e Strategjisë S3, i cili drejtohet nga Zëvendëskryeministrja, Znj. Belinda Balluku.
Ndër detyrat kryesore të Komitetit janë të sigurojë mbarëvajtjen në kuadër të hartimit dhe implementimit të S3, të nxisë bashkërendimin në nivel të lartë të institucioneve, me qëllim orientimin dhe udhëheqjen e punës, në përputhje me S3.
Kjo strategji është parashikuar të jetë një strategji ombrellë, që prek një sërë sektorësh, dhe përfshin një numër të konsiderueshëm institucionesh qendrore dhe vendore.
Pjesë e Komitetit Ndërministror të S3 janë anëtarët e mëposhtëm :
- Ministrin e Financave dhe Ekonomisë
- Ministrin e Arsimit dhe Sportit;
- Ministrin e Shtetit per Mbrojtjen e Sipërmarrjes;
- Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;
- Ministrin e Turizmit dhe Mjedisit;
- Ministrin e Kulturës;
- Ministrin e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;
- Ministrin e Shtetit për Standardet e Shërbimeve;
- Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Shtetërore për Programimi Strategjik dhe Koordinimin e Ndihmës (SASPAC);
- Drejtorin e Përgjithshëm të INSTAT-it;
- Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA);
- Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI);
- Drejtorin e Përgiithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale;
- Drejtuesin e Ekipit Kombëtar të S3;
- Kryetari i Konferencës së Rektorëve
- Kryetari i Akademisë së Shkencave
- Drejtuesi i Bashkimit të Dhomave të Tregtisë
- Drejtuesi i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë
- Kryetari i Shoqatës për Autonominë Vendore
Ekipi Kombëtar i S3 (EKS3) është strukturë në nivel teknik, e cili jep kontribut direkt në procesin e hartimit të strategjisë. Pjesë e EKS3 janë përfaqësues të institucioneve/organizatave të ndryshme bashkëlidhur listës.
Ndër detyrat kryesore të EKS3 janë kontributi e drejtpërdrejtë në procesin e hartimit të strategjisë për grumbullimin dhe analizën e të dhënave, në përcaktimin e vizionit, të objektivave strategjikë e specifikë për płanin e veprimit, si dhe garantimi, zbatimi i të githë komponentëve të përcaktuar në płanin e aktiviteteve (roadmap), përfshirë dhe përditësimin e këtij płanit në bashkëpunim me JRC e KE;
Ekspertiza, roli i JRC/KE dhe koordinimi
Kjo është një strategji e veçantë që ka një metodologji të caktuar të miratuar nga JRC e KE dhe nuk është e njëjtë me tipologjinë e strategjive të tjera (SKZHI apo sektoriale).
Duke qenë se tashmë procesi ka hyrë në fazat e tjera shumë të rëndësishme, si: angazhimi i drejtpërdrejtë i aktorëve në sektorët ekonomikë, akademikë dhe kërkimorë përkatës si më sipër, rakordimi i gjetjeve në lidhje me mangësitë në aftësi dhe kompetenca dhe kapitalin human brenda dhe jashtë vendit në sektorë të ndryshëm ekonomikë, etj., koordinimi në nivel qendror, duke mundësuar njëkohësisht rakordimin me politikat qeveritare dhe angazhimet për integrimin në BE, është kyç për finalizimin e tij.
KE ka ofruar ekspertizat e nevojshme, si dhe ka organizuar trajnimet e parashikuara në proces, si dhe parashikohet të mbështesë procesin në vijim. Një pjesë e eventeve të realizuara janë mbështetur nga ZSI (Austri).
Strategjia S3 për Shqipërinë parashikohet të finalizohet brenda gjashtëmujorit të parë të 2024.