Faza e EDP së S3 në Shqipëri po shkon drejt përmbylljes. Gjatë këtij procesi gjithëpërfshirës u zhvilluan 32 takime në formën e tryezave të rrumbullakëta, workshop-eve dhe takimeve bilaterale me vendet fqinjë (informacion më i detajuar për këto takime gjendet në rubrikën aktivitete), ku morën pjesë mbi 1100 përfaqësues nga qeverisja qendrore e vendore, akademia, biznesi dhe shoqëria civile, dhe ku secili aktor ka luajtur një rol të rëndësishëm në identifikimin dhe prioritizimin e fushave ku inovacioni përkthehet në vlerë të shtuar për ekonominë.
Më datë 1 shtator, u zhvillua një takim i përbashkët i Ekipit Kombëtar të S3 dhe koordinatorëve të institucioneve pjesë e Komitetit Ndërministror të S3 që kanë kontribuar gjatë fazës së EDP, i cili shërbeu si një tryezë për diskutimin e gjetjeve dhe sugjerimeve të mbledhura gjatë workshop-eve dhe tryezave të rrumbullakëta të organizuara gjatë fazës së EDP dhe përcaktimin e prioriteteve bazuar në konsultimet e zhvilluara gjatë këtij procesi.
Ky takim u zhvillua nën kujdesin e veçantë të Zëvendëskryeministres, znj. Belinda Balluku, me mbështetjen e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës.
Në takim u diskutua dhe mbi draft agjendën e takimit vijues të Komitetit Ndërministror të S3 dhe propozimet që do t'i përcillen Komitetit në lidhje me fushat prioritare të S3.
Eventi përmbyllës i EDP ku do të ftohen të marrin pjesë të gjithë aktorët e përfshirë gjatë EDP dhe ku do të prezantohen të gjitha gjetjet parashikohet të mbahet brenda muajit Tetor 2023.