Industria Përpunuese është identifikuar si një nga sektorët prioritarë me potencial inovativ gjatë fazës së mapping të zhvilluar në kuadër të Strategjisë të Specializimit Inteligjent (S3). Në këtë kontekst në 10 Maj 2023 u organizua një tryezë e rrumbullakët me temë “Industria Përpunuese Automotive”, me qëllim vlerësimin e mëtejshëm të potencialit të plotë të këtij sektori në diskutim me aktorët e helikës së 4-fishtë. Ky aktivitet u zhvillua nën kujdesin e veçantë të Zëvendëskryeministres znj. Belinda Balluku dhe me mbështetjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si edhe të Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, sipas metodologjisë së Qendrës së Përbashkët Kërkimore të Komisionit Evropian (JRC).
Strategjia e Specializimit Inteligjent është pjesë e detyrimeve të Shqipërisë në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësim në BE, specifikisht në kapitullin 20 ”Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale” dhe kapitullin 25 “Shkenca dhe Kërkimi”, si dhe pjesë e agjendës së BE për Ballkanit Perëndimor për Kërkimin, Inovacionin, Arsimin, Kulturën, Rininë dhe Sportet 2021-27 dhe planit të veprimit të Ballkanit Perëndimor 2021-24 në kuadër të Procesit të Berlinit. Kjo është një strategji e veçantë, e cila parashikon një qasje metodologjike të ndryshme nga strategjitë e tjera, duke përfshirë aktorët e helikës së katërfishtë që në fazat para draftimit të saj.
Ky event u zhvillua në ambientet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, me rreth 20 pjesëmarrës nga helika e katërfishtë (qeveri, akademi, biznes, shoqëri civile). Qëllimi i takimit ishte që në një formë bashkëbisedimi mes pjesëmarrësve, përfaqësues të sferës së biznesit, shoqërisë civile, akademisë, si dhe qeverisjes qendrore e lokale, në një tryezë të rrumbullakët, të shprehnin pikëpamjet e tyre për ecurinë e potencialit të zhvillimit të këtij sektori prioritar.
Takimi nisi me fjalën përshëndetëse të znj. Linda Pustina, kryetare e Ekipit Kombëtar të S3, Këshilltare e Zëvendëskryeministrit dhe vijoi me prezantimin e kuadrit të projektit nga z. Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, ekspert i Ekipit Kombëtar të S3. Pjesë e panelit si facilitues të sesioneve të këtij takimi ishin dhe znj. Elira Demiraj, Drejtore, Drejtoria e Përgjithshme e Politikave të Zhvillimit Ekonomik dhe Punësimit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe z. Sokol Cupi, Sipërmarrës, Kompania Everest.
Bisedimet u shtrinë në aspekte të ndryshme të sektorit si:
1. Masat strategjike të nevojshme dhe roli i politikbërjes për zhvillimin e sektorit;
2. Digjitalizimi i proceseve të prodhimit, si dhe investimi i vazhdueshëm në makineri e pajisje;
3. Përfshirja e teknologjive inovative në sektorin e biznesit, sfidat dhe mundësitë për të sjellë vlerë të shtuar në ekonomi;
4. Roli i kapitalit njerëzor, formimi profesional, universitar dhe ai i vazhduar;
5. Emigrimi dhe brain drain, si dhe nevoja për një përfshirje më të madhe të diasporës;
6. Forcimi i bashkëpunimit mes biznesit dhe akademisë;
7. Zhvillimi mëtejshëm i kërkimit shkencor dhe inovacionit, etj.
Të ftuarit dhanë një kontribut të vyer duke nxjerrë në pah mundësitë, nevojat dhe zgjidhjet e mundshme për një zhvillim inteligjent. Mendimet e shprehura nga të katër helikat do të vijnë në ndihmë për të krijuar një vizion të qartë dhe të qëndrueshëm për të ardhmen e këtij sektori në Shqipëri.
Diskutimet e zhvilluara përgjatë kësaj tryeze, si edhe tryezave të tjera të rrumbullakëta për Industrinë Përpunuese, do të shërbejnë si bazë për workshop-in kombëtar të Industrisë Përpunuese që do të mbahet më datë 29 Maj 2023.