BPO (Business Process Outsourcing)
BPO është evidentuar si një nga sektorët me një potencial të spikatur zhvillimi në Shqipëri, vecanërisht për sa i përket investimeve të huaja dhe punësimit të të rinjve në ditët e sotme. Me zhvillimin e mëtejshëm të sektorëve teknologjikë, industria e BPO pritet të rritet me ritme të shpejta, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, duke ofruar kështu vende të reja pune si dhe rritjen e pranisë së bizneseve të huaja në vend. Sektori i BPO është identifikuar si prioritar përgjatë procesit të analizës së fushave prioritare që bëjnë të mundur një specializim inteligjent të ekonomisë, për shkak të avancimit të teknologjive digjitale, si dhe mundësive të reja për investim. Integrimet e mëtejshme, specifikisht në sektorin e IT, konsiderohen nga stakeholders (palët e interesuara) si një rrugë e mundshme zhvillimi për industrinë e BPO, duke kryer investime në lidhjen digjitale, shpërndarjen e energjisë dhe promovimin ekonomik të sektorit, duke ofruar në këtë mënyrë shërbime me vlerë të shtuar. Njëkohësisht, sektori do të këtë mundësi të penetrojë në segmente të vlefshëm me kosto më të ulëta.