Turizmi është identifikuar si një nga sektorët prioritarë me potencial inovativ gjatë fazës mapping të zhvilluar në kuadër të Strategjisë për Specializim Inteligjent (S3). Hartimi i S3 është pjesë e detyrimeve të Shqipërisë sa i takon procesit të negociatave për anëtarësim në BE, specifikisht Kapitullit 20 “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale” dhe Kapitullit 25 “Shkenca dhe Kërkimi”, si dhe pjesë e planit të veprimit të Ballkanit Perëndimor 2021-2024, në kuadër të procesit të Berlinit, gjithashtu, pjesë e agjendës së BE për inovacionin për Ballkanin Perëndimor 2021-2027.
Në këtë kontekst, Ekipi Kombëtari i S3 nën kujdesin e veçantë të Zëvendëskryeministres, znj. Belinda Balluku dhe me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, organizoi sipas metodologjisë së Qendrës së Përbashkët Kërkimore të Komisionit Evropian (JRC), një workshop për sektorin e turizmit më datë 20 qershor 2023, në mjediset e Hotel Xheko Imperial.
Në këtë event morën pjesë rreth 65 përfaqësues nga helika e katërfishtë (qeverisje qendrore dhe vendore, akademi, biznes dhe shoqëri civile), të cilët dhanë kontributin e tyre në vlerësimin e mëtejshëm të potencialit të plotë që sektori i turizmit paraqet dhe perspektivën për zhvillim inteligjent në kuadër të S3.
Takimi u hap me fjalën përshëndetëse të znj. Linda Pustina, kryetare e Ekipit Kombëtar të S3 dhe këshilltare e Zëvëndëskryeniministres, e cila nënvizoi vëmendjen e veçantë që qeveria shqiptare po i dedikon Strategjisë S3. Në takim mori pjesë dhe Zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit, znj. Vilma Bello, e cila në fjalën e saj përshëndetëse foli mbi rëndësinë e zhvillimit të zgjuar në sektorit e turizmit. Në rolin e moderatores ishte znj. Florensa Haxhi, anëtare e Ekipit Kombëtar të S3, e cila shpjegoi për të ftuarit metodologjinë e punës që do të ndiqej në realizimin e workshop-it. Gjithashtu, pjesë e panelit ishte z. Arben Shkodra, sekretar i përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, dhe anëtar i Ekipit Kombëtar të S3.
Pjesëmarrësit u organizuan në disa grupe pune, ku secili grup kishte përfaqësues të katër helikave. Në pjesën e parë të worshop-it, çdo tryezë zhvilloi analizën SWOT nën facilitimin e një eksperti, ku u evidentuan pikat e forta, dobësitë, mundësitë dhe kërcënimet e sektorit të turizmit. Më pas, çdo tryezë shprehu vizionin për sektorin, synimet, objektivat dhe burimet e nevojshme për arritjen e këtij vizioni. Secili grup, gjithashtu, evidentoi politikat që nevojiten për implementimin e sugjerimeve dhe objektivave të vendosura.
Në pjesën e dytë të workshop-it, çdo facilitator prezantoi për të ftuarit gjetjet e tryezës së tij. Disa nga këto gjetje lidheshin me:
- Diversifikimin e ofertës turistike;
- Promovimin e turizmit në tregun e brendshëm dhe atë ndërkombëtar duke përdorur inovacionin dhe teknologjinë e informacionit;
- Zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në mbrojtje të trashëgimisë kulturore dhe mjedisit;
- Avantazhet konkurruese të sektorit në rajon dhe më gjerë;
- Infrastrukturën digjitale të kufizuar dhe mungesën e infrastrukturës kombëtare;
- Nxitjen e bashkëpunimit mes qeverisë, biznesit, akademisë dhe shoqërisë civile si dhe zhvillimin e bashkëpunimit rajonal;
- Mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar, emigrimin dhe brain drain, rishikimin e kurrikulave në përshtatje me kërkesat e tregut dhe formimin e vazhduar;
- Lehtësimin e procedurave administrative, politikat fiskale dhe financimin;
- Formalizimin e tregut dhe standartizimin;
- Politikat incentivuese për nënsektorët e turizmit.
Ky workshop u realizua në vazhdën e tryezave të rrumbullakëta të mëparshme në kuadër të takimeve EDP. Përfundimet e dala nga ky workshop do të analizohen, vlerësohen dhe përfshihen në raportin përfundimtar të EDP, që do të shërbejë si bazë për hartimin e strategjisë S3.