Turizmi përbën një fushë prioritare me potencial inovativ për ekonominë, identifikuar në kuadër të Strategjisë për specializim Inteligjent (S3) mbi bazën e një analizë të detajuar të kapaciteteve, burimeve, si dhe avantazheve konkurruese që Shqipëria zotëron.
Hartimi i S3 është pjesë e detyrimeve të Shqipërisë sa i takon procesit të negociatave për anëtarësim në BE, specifikisht kapitullit 20 “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale” dhe kapitullit 25 “Shkenca dhe Kërkimi”, si dhe pjesë e planit të veprimit të Ballkanit Perëndimor 2021-2024, në kuadër të Procesit të Berlinit, gjithashtu, pjesë e agjendës së BE për inovacionin për Ballkanin Perëndimor 2021-2027.
Në këtë kontekst, Ekipi Kombëtar i S3 nën kujdesin e veçantë të Zëvendëskryeministres, znj. Belinda Balluku me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, organizoi sipas metodologjisë së Qendrës së Përbashkët Kërkimore të Komisionit Evropian, një tryezë të rrumbullakët për sektorin e turizmit me fokus diversifikimin e ofertës dhe turizmin gjithëvjetor. Takimi u mbajt më 8 qersher 2023, në mjediset e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.
Në këtë tryezë morën pjesë rreth 35 përfaqësues nga helika e katërfishtë (qeverisje qendrore dhe lokale, biznes, akademi dhe shoqëri civile). Pjesëmarrësit dhanë një kontrubut të çmuar duke shpalosur nevojat e sektorit dhe zgjidhjet e mundshme për zhvillimin inteligjent në turizëm.
Takimi u hap nga znj. Linda Pustina, kryetare e Ekipit Kombëtar të S3, Këshilltare e Zëvendëskryeministres, e cila theksoi rëndësinë e procesit dhe vëmemendjen e dhënë nga Qeveria Shqiptare. Zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit, znj. Vilma Bello, mbajti një fjalë përshëndetëse dhe mori pjesë në diskutimet me aktorët e helikës së katërfishtë. Znj. Florenca Haxhi, anëtare e Ekipit Kombëtar të S3, prezantoi kuadrin e projektit dhe rëndësinë e procesit të Enterpreneurial Discovery Process-EDP në Republikën e Shqipërisë.
Në fokus të sesionit të parë të takimit ishte roli i qeverisjes qendrore dhe vendore në prioritizimin dhe zhvillimin e tregut të turizmit, diversifikimi i ofertës, turizmi gjithëvjetor në vend, si dhe prioritizimi i elementeve të veçantë si: turizmi mjekësor, turizmi MICE, turizmi kulturor, turizmi blu dhe lloje të tjera të turizmit. Në një formë bashkëbisedimi mes pjesëmarrësve, në këtë sesion u fol për sfidat, mundësitë, perspektivat, si dhe u dhanë sugjerime dhe rekomandime lidhur me masat strategjike të nevojshme për shfrytëzimin e potencialit të plotë të sektorit të turizmit dhe rolin e politikëbërjes në zhvillimin e sektorit.
Pjesa e dytë e takimit kishte në qendër të bashkëbisedimit zhvillimin e ekonomisë përmes inovacionit, konkurrueshmërinë, rolin e turizmit, si dhe sfidat e mundësitë për zhvillimin e tregut të turizmit gjithëvjetor në Shqipëri. Ky sesion u facilitua nga znj. Matilda Naço, Drejtore Ekzekutive e Shoqatës Shqiptare të Turizmit, njëkohësisht Pedagoge pranë Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës. Pjesëmarrësit trajtuan përfshirjen e teknologjive inovative në sektorin e biznesit, sfidat dhe mundësitë për të sjellë vlerë të shtuar në ekonomi dhe evidentuan funksionet e shumëfishta të turizmit.
Në sesionin e fundit të takimit u diskutua mbi rolin e arsimit dhe trajnimit në sektorin e turizmit, sfidat dhe rrugëtimin drejt zhvillimit të kapitalit njerëzor në kontekstin e një Specializimi Inteligjent. Znj. Flutura Vaqarri, Drejtore e Shkollës “Hoteleri-Turizëm”, në rolin e facilitatorit orientoi diskutimet mes pjesëmarrësve, të cilët u fokusuan në rolin e kapitalit njerëzor në sektorin e turizmit, ofertën akademike universitare, VET apo formimin e vazhduar, kërkimin shkencor, si dhe nevojat e sektorit dhe sfidat për të qenë konkurrues në rajon dhe më gjerë.
Përfundimet e nxjerra nga ky takim, nga bashkëpunimi ndërsektorial dhe rrjetëzimi me aktorët kryesorë, do të shërbejnë si bazë për workshop-in kombëtar që do mbahet për sektorin e turizmit.