Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK) është identifikuar si një nga fushat prioritare me potencial inovativ gjatë fazës mapping të zhvilluar në kuadër të Strategjisë për Specializimin Inteligjent (S3). Hartimi i S3 është pjesë e detyrimeve të Shqipërisë sa i takon procesit të negociatave për anëtarësim në BE, specifikisht Kapitullit 20 “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale” dhe Kapitullit 25 “Shkenca dhe Kërkimi”, si dhe pjesë e planit të veprimit të Ballkanit Perëndimor 2021-2024, në kuadër të procesit të Berlinit, gjithashtu, pjesë e agjendës së BE për inovacionin për Ballkanin Perëndimor 2021-2027.
Në këtë kontekst, Ekipi Kombëtar i S3, nën kujdesin e veçantë të Zëvendëskryeministres, znj. Belinda Balluku, dhe me mbështetjen e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë dhe EU4I, organizoi sipas metodologjisë së Qendrës së Përbashkët Kërkimore të Komisionit Evropian (JRC) një workshop kombëtar për sektorin e ICT në datën 19 maj 2023.
Në këtë event morën pjesë rreth shtatëdhjetë përfaqësues nga helika e katërfishtë (qeveri, akademi, biznes, shoqëri civile), të cilët ndanë eksperiencat e tyre në fushën e ICT dhe pikëpamjet për zhvillimin inteligjent në ICT.
Takimi nisi me fjalën përshëndetëse të znj. Linda Pustina, kryetare e Ekipit Kombëtar të S3 dhe këshilltare e Zëvëndëskryeniministres, e cila nënvizoi vëmendjen e veçantë që qeveria po i dedikon Strategjisë S3. Në rolin e moderatores të workshop-it ishte znj. Florensa Haxhi, eksperte e Ekipit Kombëtar të S3, e cila shpjegoi për të ftuarit metodologjinë e punës. Pjesë e panelit ishin gjithashtu, znj. Kozeta Sevrani, pedagoge në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës dhe anëtare e Ekipit Kombëtar të S3, znj. Elira Demiraj, drejtor, Drejtoria e Përgjithshme e Politikave të Zhvillimit Ekonomik dhe Punësimit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe znj. Elvana Zhezha, eksperte, drejtor i zyrës së UNIDO në Shqipëri.
Të ftuarit u ndanë në disa tavolina, ku secila tavolinë kishte përfaqësues nga të katër helikat. Në pjesën e parë të worshop-it, çdo tavolinë zhvilloi analizën SWOT të sektorit, ku u evidentuan pikat e forta, dobësitë, mundësitë dhe kërcënimet. Më pas, tavolinat shprehën vizionin e tyre për sektorin, synimet, objektivat dhe burimet e nevojshme për arritjen e vizionit. Secili grup evidentoi gjithashtu politikat që nevojiten për implementimin e sugjerimeve dhe objektivave të vendosura.
Në pjesën e dytë të workshop-it, çdo facilitator prezantoi gjetjet e tryezës së tij. Disa nga këto gjetje lidheshin me:
- Kuadrin institucional të mirëpërcaktuar dhe të dedikuar;
- Financimim;
- Bashkëpunimin akademi, biznes, qeveri;
- Përshtatjen me nevojat e tregut dhe rishikimin e kurrikulave, si në arsimin e lartë, atë parauniversitar dhe VET, por dhe edukimin gjatë gjithë jetës dhe kurset e formimit afatshkurtër;
- Bashkëpunimin rajonal, shkëmbimin e përvojave, si dhe adresimin e problematikës që lidhet me kapitalin njerëzor dhe brain drain;
- Zhvillimin e infrastrukturës digjitale;
- Përmirësimin e kapaciteteve të fuqisë punëtore;
- Specializimin në nënsektorë të ICT.
Ky workshop u realizua në vazhdën e dy tryezave të rrumbullakëta të organizuara disa javë më parë në kuadër të takimeve EDP. Përfundimet e dala nga ky workshop do të analizohen, vlerësohen dhe përfshihen në raportin përfundimtar të EDP, që do të shërbejë si bazë për hartimin e strategjisë S3.