Bujqësia përbën një fushë prioritare me potencial inovativ për ekonominë, identifikuar në kuadër të Strategjisë për Specializim Inteligjent (S3) mbi bazën e një analize të detajuar të kapaciteteve, burimeve, si dhe avantazheve konkurruese që Shqipëria zotëron. Hartimi i S3 është pjesë e detyrimeve të Shqipërisë sa i takon procesit të negociatave për anëtarësim në BE, specifikisht në kapitullin 20 “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale” dhe kapitullit 25 “Shkenca dhe Kërkimi”, si dhe pjesë e planit të veprimit të Ballkanit Perëndimor 2021-2024, në kuadër të Procesit të Berlinit, gjithashtu, pjesë e agjendës së BE për inovacionin për Ballkanin Perëndimor 2021-2027.
Në këtë kontekst, Ekipi Kombëtar i S3, nën kujdesin e veçantë të Zëvendëskryeministres, znj. Belinda Balluku me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, organizoi sipas metodologjisë së Qendrës së Përbashkët Kërkimore të Komisionit Evropian (JRC), një tryezë të rrumbullakët për sektorin e bujqësisë me fokus zhvillimin dhe prioritizimin e sekrorëve si bujqësi, blegtori dhe agropërpunimi. Takimi u mbajt më 9 maj 2023, në mjediset e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Takimi nisi me fjalën hapëse të znj. Linda Pustina, kryetare e Ekipit Kombëtar të S3, Këshilltare e Zëvëndëskryeministrit, e cila theksoi rëndësinë e këtij procesi, si dhe me fjalën përshëndetëse të Z. Irfan Tarelli, Drejtor i Përgjithshëm i Politikave dhe Programeve të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore dhe Zhvillimit Rural. Pjesë e panelit dhe facilitues të diskutimeve ishin dhe: Z. Agim Rrapaj, Kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar dhe Prof. Asoc. Dr. Fatmir Guri, Përgjejgës i departamentit të Ekonomisë dhe Politikave të Zhvillimit Rural.
U evidentua një pjesëmarrje e gjerë, ishin të pranishëm 50 përfaqësues nga të gjitha aktorët e helikës së katërfishtë (qeveri, akademi, biznes, shoqëri civile). Pjesëmarrësit dhanë kontributin e tyre, së pari duke diskutuar mbi problematikat dhe nevojat me të cilat përballet sektori dhe më pas duke dhënë mendimet mbi zgjidhjet apo politikat e mundshme për zhvillimin inteligjent. Duke marrë parasysh bonitetin e tokës, burimet e fovorshme natyrore dhe klimën e vendit, pjesëmarrësit u shprehën se inovacioni dhe digjitalizimi i proceseve në sektorët si bujqësi, blegtori dhe agropërpunimi do të ishte shumë produktiv dhe një mundësi e mirë që duhet shfrytëzuar në dobi të rritjes së prodhimit.
Të ftuarit diskutuan mes te tjerash për:
- Potencialin e rëndësishëm për inovacion brenda sektorit, duke u fokusuar në Qendrat e Transferimit të Teknologjive Bujqësore (QTT), të cilat shërbejnë si një bazë e mirë për përgatitjen e paketave teknologjike për kulturat bujqësore dhe zhvillimin e ekspertizave të ndryshme në ndihmë të fermerëve, nëse shfrytëzojnë maksimalisht potencialin e tyre.
- Kapitalin njerëzor, në aspektin e numrave dhe të ekspertizës dhe për brain drain, si dhe për rëndësinë e një akademie të zhvilluar;
- Mundësitë e financimit;
- Bashkëpunimi mes katër helikave me qëllim nxitjen e specializimit inteligjent;
- Krijimin e pafragmentarizuar të zinxhirëve të vlerës të produkteve bujqësore.
Diskutimet e zhvilluara në këtë takim do të shërbejnë si bazë për workshop-in kombëtar në fushën e bujqësisë.