Sektori i Industrisë Përpunuese është identifikuar si prioritar përgjatë procesit të analizës së mapping të S3. Strategjia e Specializimit Inteligjent është pjesë e detyrimeve që ka Shqipëria në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësim në BE, specifikisht në kapitullin 20 ”Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale” dhe kapitullin 25 “Shkenca dhe Kërkimi”, si dhe pjesë e agjendës së BE për Ballkanit Perëndimor për Kërkimin, Inovacionin, Arsimin, Kulturën, Rininë dhe Sportet 2021-27 dhe planit të veprimit të Ballkanit Perëndimor 2021-24 në kuadër të Procesit të Berlinit. Kjo është një strategji e veçantë, e cila parashikon një qasje metodologjike të ndryshme nga strategjitë e tjera, duke përfshirë aktorët e helikës së katërfishtë që në fazat para draftimit të saj.
Në kuadër të takimeve të organizuara për Industrinë Përpunuese, Ekipi Kombëtar i S3, nën kujdesin e Zëvendëskryeministres, znj. Belinda Balluku, dhe me mbështetjen e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, ftoi më datë 5 Maj 2023, pranë ambienteve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, përfaqësues të qeverisë, akademisë, biznesit dhe shoqërisë civile në një tryezë të rrumbullakët me temë "Industria Përpunuese e Materialeve të Ndërtimit", të organizuar sipas metodologjisë së Qendrës së Përbashkët Kërkimore të Komisionit Evropian (JRC).
Në këtë event morën pjesë rreth 25 përfaqësues nga helika e katërfishtë (qeveri, akademi, biznes, shoqëri civile). Takimi nisi me fjalën përshëndetëse të znj. Linda Pustina, Kryetare e Ekipit Kombëtar të S3, Këshilltare e Zëvendëskryeministrit, dhe vijoi me prezantimin e kuadrit të projektit nga z. Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, Ekspert i Ekipit Kombëtar të S3. Pjesë e panelit dhe facilitues të takimit ishin dhe znj. Eralda Shtylla, Përgjegjëse Sektori, Sektori i Konkurrueshmërisë, Drejtoria e Politikave të Nxitjes së Biznesit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, znj. Ilda Baraj, sipërmarrëse, Kompania KidAlb, Fabrika e Tullave Maminas, z. Arian Lako, Drejtues i Departamentit të Konstruksioneve të Ndërtimit dhe Infrastrukturave të Transportit, Universiteti Politeknik i Tiranës.
Në një formë bashkëbisedimi mes pjesëmarrësve, në këtë takim u diskutua lidhur me sfidat, mundësitë, perspektivat si edhe mbi rekomandimet për shfrytëzimin e potencialit të plotë të sektorit të Industrisë Përpunuese të Materialeve të Ndërtimit. Të ftuarit shprehën pikëpamjet e tyre se si në të ardhmen ky sektor mund të specializohet në mënyrë inteligjente. Ky takim pati në fokus çështje si:
1. Masat strategjike të nevojshme dhe rolin e politikbërjes për zhvillimin e sektorit;
2. Përdorimi teknologjive inovative në biznes;
3. Tranzicioni digjital dhe tranzicioni i gjelbër;
4. Roli i kapitalit njerëzor në sektor, emigrimi, brain drain, si edhe nevoja për përfshirjen e diasporës;
5. Ndryshimet dhe përmirësimet e nevojshme në ofertën akademike universitare, VET apo formimin e vazhduar, si edhe arsimin profesional;
6. Orientimi i studentëve drejt profesioneve ku ka kërkesë nga tregu i punës dhe funksionimi i një sistemi të gjërmueshmërisë;
7. Forcimi i bashkëpunimit mes biznesit dhe akademisë;
8. Zhvillimi mëtejshëm i kërkimit shkencor dhe inovacionit;
9. Ndërtimet në Zonat Industriale;
10. Krijimi i një platforme informuese dhe ndërvepruese të përbashkët mes aktorëve të helikës së katërfishtë, etj.
Diskutimet e zhvilluara në këtë takim do të sherbëjne si bazë për workshop-in kombëtar në fushën e Industrisë Përpunuese.