Sektori i Industrisë Përpunuese është identifikuar si prioritar përgjatë procesit të analizës së mapping të S3. Strategjia e Specializimit Inteligjent ka nisur prej disa vitesh, si pjesë e detyrimeve që ka Shqipëria në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësim në BE, posaçërisht në kapitullin 20 ”Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale” dhe kapitullin 25 “Shkenca dhe Kërkimi”, si dhe pjesë e agjendës së BE për Ballkanit Perëndimor për Kërkimin, Inovacionin, Arsimin, Kulturën, Rininë dhe Sportet 2021-27 dhe planit të veprimit të Ballkanit Perëndimor 2021-24 në kuadër të Procesit të Berlinit. Kjo është një strategji e veçantë, e cila parashikon një qasje metodologjike të ndryshme nga strategjitë e tjera, duke përfshirë aktorët e helikës së katërfishtë që në fazat para draftimit të saj.
Në kuadër të eventeve të kryera për Industrinë Përpunuese, Ekipi Kombëtar i S3, nën kujdesin e Zëvendëskryeministres znj. Belinda Balluku, dhe me mbështetjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, organizoi më datë 2 Maj 2023, pranë ambjenteve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, një tryezë të rrumbullakët me temë “Industria Përpunuese e Lëndëve të Para Minerare” me qëllim vlerësimin e mëtejshëm të potencialit të plotë të këtij sektori në diskutim me aktorët e helikës së 4-fishtë.
Në këtë event morën pjesë rreth 25 përfaqësues të sferës së biznesit, shoqërisë civile, akademisë, si dhe qeverisjes qendrore dhe vendore.
Takimi u hap nga znj. Linda Pustina, kryetare e Ekipit Kombëtar të S3, Këshilltare e Zëvendëskryeministrit, e cila theksoi rëndësinë e procesit dhe vëmendjen që po i kushton Qeveria Shqiptare këtij procesi. Takimi u përshëndet nga z. Ilir Bejtja, Zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë që u ndal në rëndësinë e sektorit dhe potencialin që vendi ynë ka në këtë sektor. Pjesë e panelit dhe facilitues të diskutimeve ishin z. Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, ekspert i Ekipit Kombëtar të S3, z. Sokol Mati, pedagog në Fakultetin e Gjeologji Minierave, Universiteti Politeknik i Tiranës; znj. Ledi Moisiu, pedagoge në Fakultetin e Gjeologji Minierave, Universiteti Politeknik i Tiranës.
Në një formë bashkëbisedimi mes pjesëmarrësve, ky takim kishte në fokus çështje si:
1. Masat strategjike të nevojshme për shfrytëzimin e potencialit të plotë të sektorit dhe rolin e politikëbërjes për zhvillimin e sektorit;
2. Përfshirja e teknologjive inovative në sektorin e biznesit për të sjellë vlerë të shtuar në ekonomi;
3. Roli i kapitalit njerëzor në sektor, formimi profesional, universitar dhe ai i vazhduar;
4. Emigrimi, brain drain, si edhe nevoja për përfshirjen e diasporës;
5. Forcimi i bashkëpunimit mes biznesit dhe akademisë;
6. Zhvillimi i kërkimit shkencor dhe inovacionit;
7. Hapja e Hub-it rajonal të EIT raw materials në Shqipëri;
8. Politikat Industriale;
9. Zhvillimi i procesit të riciklimit, etj.
Diskutimet e zhvilluara në këtë takim do të sherbëjnë si bazë për workshop-in kombëtar në fushën e Industrisë Përpunuese.