Industria Përpunuese është identifikuar si një nga sektorët prioritarë me potencial inovativ në kuadër të Strategjisë për Specializim Inteligjent. S3 ka nisur prej disa vitesh, si pjesë e detyrimeve që ka Shqipëria në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësim në BE, posaçërisht në Kapitullin 20 ”Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale” dhe Kapitullin 25 “Shkenca dhe Kërkimi”, si dhe pjesë e agjendës së BE për Ballkanit Perëndimor për Kërkimin, Inovacionin, Arsimin, Kulturën, Rininë dhe Sportet 2021-27 dhe planit të veprimit të Ballkanit Perëndimor 2021-24 në kuadër të Procesit të Berlinit. Kjo është një strategji e veçantë, e cila parashikon një qasje metodologjike të ndryshme nga strategjitë e tjera, duke përfshirë aktorët e helikës së katërfishtë që në fazat para draftimit të saj.
Në këtë kuadër Ekipi Kombëtar i S3, nën kujdesin e Zëvendëskryeministrit znj. Belinda Balluku, dhe me mbështetjen e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, organizoi më datë 28 Prill 2023, një tryezë të rrumbullakët me temë “Industria Përpunuese e Drurit” pranë ambienteve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Të ftuar ishin përfaqësues të sferës së biznesit, shoqërisë civile, akademisë, si dhe qeverisjes qendrore dhe vendore, të cilët shprehën pikëpamjet e tyre për zhvillimin e sektorit përmes inovacionit, për rolin, sfidat dhe mundësitë në përpunimin e drurit.
Pjesëmarrës në event ishin rreth 20 përfaqësues të helikës së katërfishtë.
Takimi nisi me fjalën përshëndetëse të anëtarëve të panelit: Znj. Linda Pustina, Kryetare e Ekipit Kombëtar të S3, Këshilltare e Zëvendëskryeministrit; Z. Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, Ekspert i Ekipit Kombëtar për Hartimin e Strategjisë së Specializimit Inteligjent; Znj. Eralda Shtylla, Përgjegjëse Sektori, Sektori i Konkurrueshmërise, Drejtoria e Politikave të Nxitjes së Biznesit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë; Z. Leonidha Peri, Dekan, Fakulteti i Shkencave Pyjore, Universiteti Bujqësor i Tiranës.
Kjo industri ka përfaqësuar dhe vazhdon të përfaqësojë një pjesë të rëndësishme të të gjithë ekonomisë shqiptare, prandaj edhe zhvillimi i mëtejshëm i kësaj fushe është me shumë interes për vendin. Bisedimet u shtrinë në aspekte të ndryshme të sektorit si:
1. Sfidat, mundësitë dhe perspektivat, lidhur me masat strategjike të nevojshme dhe rolin e politikëbërjes për zhvillimin e sektorit;
2. Përdorimi i teknologjive inovative në biznes;
3. Cluster-at dhe mundësia për zhvillimin e tyre;
4. Prodhimi i produkteve të specializuara;
5. Roli i kapitalit njerëzor, formimi profesional, universitar dhe ai i vazhduar;
6. Emigrimi dhe brain drain, si dhe nevoja për një përfshirje më të madhe të diasporës;
7. Zhvillimi mëtejshëm i kërkimit shkencor dhe inovacionit, etj.
Pjesëmarrësit dhanë një kontribut të çmuar duke shpalosur nevojat e sektorit dhe zgjidhjet e mundshme për zhvillimin inteligjent.
Diskutimet e zhvilluara përgjatë tryezave të rrumbullakëta do të sherbëjne si bazë për workshop-in kombëtar në fushën e Industrisë Përpunuese.