Business Process Outsourcing (BPO) është identifikuar si një nga fushat prioritare me potencial inovativ gjatë fazës mapping të zhvilluar në kuadër të Strategjisë për Specializimin Inteligjent (S3). Hartimi i S3 është pjesë e detyrimeve të Shqipërisë sa i takon procesit të negociatave për anëtarësim në BE, specifikisht Kapitullit 20 “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale” dhe Kapitullit 25 “Shkenca dhe Kërkimi”, si dhe pjesë e planit të veprimit të Ballkanit Perëndimor 2021-2024, në kuadër të procesit të Berlinit, gjithashtu, pjesë e agjendës së BE për inovacionin për Ballkanin Perëndimor 2021-2027.
Në këtë kontekst, Ekipi Kombëtar i S3, nën kujdesin e veçantë të Zëvendëskryeministres, znj. Belinda Balluku, dhe me mbështetjen e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, Bashkisë Tiranë dhe të ABSL Shqipëri, organizoi sipas metodologjisë së Qendrës së Përbashkët Kërkimore të Komisionit Evropian (JRC), një tryezë të rrumbullakët për sektorin BPO më datë 3 prill 2023, në mjediset e TUMO center.
Në këtë event morën pjesë rreth 30 përfaqësues nga helika e katërfishtë (qeveri, akademi, biznes, shoqëri civile). Pjesëmarrësit dhanë një kontribut të çmuar duke shpalosur nevojat e sektorit dhe zgjidhjet e mundshme për zhvillimin inteligjent në BPO.
Takimi nisi me fjalën përshëndetëse të dy prej anëtarëve të panelit: znj. LindaPustina, kryetare e Ekipit Kombëtar të S3, këshilltare e Zëvendëskryeministrit dhe z. Geron Kamberi, moderator dhe ekspert i Ekipit Kombëtar të S3, i cili prezantoi kuadrin e projektit, rëndësinë dhe roli e procesit të EDP në Republikën e Shqipërisë. Znj. Arjodita Mustali, eksperte e BPO, presidente e shoqatës ABSL Shqipëri, pjesë e panelit, theksoi rolin e sektorit në ekonominë shqiptare dhe nevojën për t’u përshtatur me sfidat globale, si dhe rëndësinë e përfshirjes së të gjithë aktorëve të helikës së katërfishtë, e sidomos bizneseve, në një konsultim me një qasje të re që po ndodh për herë të parë në Shqipëri, që angazhon këta aktorë që prej fazave të para të hartimit të strategjisë.
Pjesa e parë e takimit kishte në qendër sfidat, mundësitë dhe perspektivën për zhvillimin e sektorit BPO, ndërsa në pjesën e dytë u analizua rrugëtimi drejt një specializimi inteligjent në sektorin e BPO.
Përfaqësuesit e heliksit të katërfishtë, kryesisht, shtjelluan temat si vijon:
- Pozicionin që ka sektori i BPO në Shqipëri në zinxhirin e vlerës globale;
- Sfidat, mundësitë dhe tendencat e kësaj fushe prioritare;
- Potencialin që ka sektori për t’u përfshirë në Agjendën e Transformimit Digjital;
- Rolin që do të ketë në të ardhmen BPO për zhvillimin e ekonomisë shqiptare;
- Sfidat kryesore në zhvillimin e aftësive e kapaciteteve njerëzore për të, roli i arsimit dhe kërkimit, përmirësimi i ofertës formuese në përputhje me nevojat e tregut të punës dhe formimi i vazhduar, si dhe brain drain;
- Avantazhet më të mëdha konkurruese që ka Shqipëria për t’u specializuar në këtë fushë prioritare zhvillimi;
- Politikat e strategjitë që janë të nevojshme për të nxitur ndryshime në këtë sektor.
Diskutimet e zhvilluara në këtë takim do të shërbejnë si bazë për workshop-in kombëtar në fushën e BPO.