Energjia përbën një fushë prioritare me potencial inovativ për ekonominë, identifikuar në kuadër të Strategjisë për Specializim Inteligjent (S3) mbi bazën e një analize të detajuar të kapaciteteve, burimeve, si dhe avantazheve konkurruese që Shqipëria zotëron. Hartimi i S3 është pjesë e detyrimeve që ka Shqipëria sa i takon procesit të negociatave për anëtarësim në BE, specifikisht kapitullit 20 “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale” dhe kapitullit 25 “Shkenca dhe Kërkimi”, si dhe pjesë e planit të veprimit të Ballkanit Perëndimor 2021-2024, në kuadër të Procesit të Berlinit, gjithashtu, pjesë e agjendës së BE për inovacionin për Ballkanin Perëndimor 2021-2027.
Në këtë kontekst, Ekipi Kombëtar i S3, me mbështetjen e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, organizoi sipas metodologjisë së Qendrës së Përbashkët Kërkimore të Komisionit Evropian (JRC), një tryezë të rrumbullakët për sektorin e energjisë alternative, më 16 nëntor 2022.
Në këtë takim morën pjesë rreth 15 përfaqësues të heliksit të 4-fishtë (qeveri, akademi, biznes, shoqëri civile). Pjesëmarrësit dhanë një kontribut të çmuar duke shpalosur nevojat e sektorit dhe zgjidhjet e mundshme për zhvillimin inteligjent në fushën e energjisë alternative.
Takimi u nis me fjalën përshëndetëse të z. Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë dhe anëtar i Ekipit Kombëtar të S3, i cili orientoi diskutimet në dy pjesë. Gjatë sesionit të parë të ftuarit trajtuan në formën e bashkëbisedimit sfidat, mundësitë dhe perspektivën për zhvillimin e sektorit, ndërsa në sesionin dytë analizuan rrugëtimin drejt një specializimi inteligjent në sektorin e energjisë alternative. Në përfundim të tryezës të ftuarit dhanë mendimet e tyre lidhur me masat strategjike të nevojshme për shfrytëzimin e potecialit të plotë të sektorit me në fokus nxitjen e inovacionit dhe kërkimit shkencor.
Të ftuarit diskutuan mes të tjerash për:
- Sfidat dhe problematikat që ky sektor shfaq lidhur me mungesën e fuqisë punëtore dhe konkurrueshmërinë në tregun rajonal dhe më gjerë;
- Nevojën për të kaluar nga një ekonomi lineare në ekonomi cirkulare;
- Incentivat për investime në fushën e energjisë alternative;
- Emigracionin, kapitalin njerëzor dhe brain drain;
- Mungesën e një sistemi të ndarjes së mbetjeve dhe ndalimin ligjor të importit të mbetjeve;
- Fushatat ndërgjegjësuese për qytetarët;
- Nevojën për një rishikim të kuadrit ligjor ekzistues;
- Bashkëpunimin mes aktorëve të qeverisjes qendrore dhe vendore, shoqërisë civile, biznesit dhe akademisë, me qëllim nxitjen e inovacionit në sektor.
Përfundimet e nxjerra nga bashkëpunimi ndërsektorial dhe rrjetëzimi me aktorët kryesorë do të shërbejnë si bazë për workshop-in kombëtar në fushën energjisë.