Turizmi përbën një fushë prioritare me potencial inovativ për ekonominë, identifikuar në kuadër të Strategjisë për Specializim Inteligjent (S3) mbi bazën e një analize të detajuar të kapaciteteve, burimeve, si dhe avantazheve konkurruese që Shqipëria zotëron.
Hartimi i S3 është pjesë e detyrimeve të Shqipërisë sa i takon procesit të negociatave për anëtarësim në BE, specifikisht kapitullit 20 “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale” dhe kapitullit 25 “Shkenca dhe Kërkimi”, si dhe pjesë e planit të veprimit të Ballkanit Perëndimor 2021-2024, në kuadër të Procesit të Berlinit, gjithashtu, pjesë e agjendës së BE për inovacionin për Ballkanin Perëndimor 2021-2027.
Në këtë kontekst, Ekipi Kombëtar i S3, me mbështetjen e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, organizoi sipas metodologjisë së Qendrës së Përbashkët Kërkimore të Komisionit Evropian (JRC), tryezën e rrumbullakët për sektorin e turizmit bregdetar, më 9 nëntor 2022.
Në këtë takim morën pjesë rreth 35 aktorë të heliksit së 4-fishtë (qeveri, akademi, biznes, shoqëri civile). Pjesëmarrësit evidentuan gjatë tryezës mundësitë për zhvillimin e sektorit duke aplikuar zgjidhje inovative sa i takon strategjisë inteligjente.
Takimi u nis me fjalën përshëndetëse të dy prej anëtarëve të panelit: Z. Ledion Lako, Drejtor Ekzekutiv i Agjensisë Kombëtare të Bregdetit dhe znj. Matilda Naco, Drejtore Ekzekutive e Shoqatës së Turizmit Shqiptar. Z. Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë dhe anëtar i Ekipit Kombëtar të S3, pjesë e panelit, moderoi diskutimin në dy pjesë. Në sesionin e parë të takimit u fol për sfidat, mundësitë dhe perspektivën për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit, ndërsa në sesionin e dytë u trajtua rrugëtimi i sektorit të turizmit detar drejt specializimit inteligjent. Në përfundim të tryezës të ftuarit dhanë mendimet e tyre lidhur me masat strategjike të nevojshme për shfrytëzimin e potecialit të plotë të sektorit me në fokus nxitjen e inovacionit dhe kërkimit shkencor.
Përgjatë diskutimeve, të ftuarit mes të tjerash evidentuan:
- Mundësitë dhe perspektivat e zhvillimit të turizmit detar të qëndrueshëm, si një ndër nënsektorët më vitalë të ekonomisë;
- Nevojën për formalizimin e tregut;
- Kërkesën në rritje për burime njerëzore të kualifikuara dhe rolin e akademisë në përgatitjen e tyre, në kontekstin e një specializimi inteligjent;
- Bashkëpunimin mes aktorëve të helikës së katërfishtë me qëllim nxitjen e zhvillimit inteligjent në sektor;
- Mungesën e të dhënave, studimeve dhe të raporteve për ecurinë e sektorit të turizmit;
- Identifikimin e objektivave dhe masave strategjike për rritjen e performances së sektorit, me në fokus nxitjen e kërkimit shkencor dhe zgjidhjet inovative;
- Ngritjen e sistemeve të brendshme të menaxhimit të hoteleve dhe përdorimin e platformave ekzistuese që mundësojnë rezervime online, monitorimin e tendencave të shitjeve;
- Emigracionin dhe brain drain;
- Diversifikimin e ofertës turistike, rritjen e kapaciteteve akomoduese dhe konkurrueshmërinë në vend dhe në rajon.
Përfundimet e nxjerra nga ky takim, nga bashkëpunimi ndërsektorial dhe rrjetëzimi me aktorët kryesorë do të shërbejnë si bazë për workshop-in kombëtar në fushën e turizmit.