Turizmi përbën një fushë prioritare me potencial inovativ për ekonominë, identifikuar në kuadër të Strategjisë për Specializim Inteligjent (S3) mbi bazën e një analize të detajuar të kapaciteteve, burimeve, si dhe avantazheve konkurruese që Shqipëria zotëron. Hartimi i S3 është pjesë e detyrimeve që ka Shqipëria sa i takon procesit të negociatave për anëtarësim në BE, specifikisht kapitullit 20 “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale” dhe kapitullit 25 “Shkenca dhe Kërkimi”, si dhe pjesë e planit të veprimit të Ballkanit Perëndimor 2021-2024, në kuadër të Procesit të Berlinit, gjithashtu, pjesë e agjendës së BE për inovacionin për Ballkanin Perëndimor 2021-2027.
Në këtë kontekst, Ekipi Kombëtar i S3, me mbështetjen e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, organizoi sipas metodologjisë së Qendrës së Përbashkët për Kërkim të Komisionit Evropian (JRC), një tryezë të rrumbullakët për sektorin e turizmit malor, më 3 nëntor 2022.
Në këtë takim morën pjesë rreth 30 përfaqësues të heliksit të 4-fishtë (qeveri, akademi, biznes, shoqëri civile). Pjesëmarrësit dhanë një kontribut të çmuar duke shpalosur nevojat e sektorit dhe zgjidhjet e mundshme për zhvillimin inteligjent në fushën e turizmit malor.
Takimi u nis me fjalën përshëndetëse të dy prej anëtarëve të panelit: Znj. Albina Tole, Zëvendësministre e Arsimit dhe Sportit dhe znj. Matilda Naco, Drejtore Ekzekutive e Shoqatës së Turizmit Shqiptar. Z. Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë dhe anëtar i Ekipit Kombëtar të S3, në rolin e moderatorit orientoi diskutimin në dy pjesë. Në sesionin e parë të ftuarit trajtuan në formën e bashkëbisedimit sfidat, mundësitë dhe perspektivën për zhvillimin e sektorit, ndërsa gjatë sesionit të dytë u analizua rrugëtimi drejt një specializimi inteligjent në sektorin e turizmit malor. Në përfundim të tryezës të ftuarit dhanë mendimet e tyre lidhur me masat strategjike të nevojshme për shfrytëzimin e potecialit të plotë të sektorit me në fokus nxitjen e inovacionit dhe kërkimit shkencor.
Përfaqësuesit e helikës, kryesisht, trajtuan çështje të tilla si:
- Mundësitë për zhvillimin e turizmit malor të qëndrueshëm përmes promovimit të vlerave, zhvillimit të infrastrukturës dhe ndërgjëgjësimit të aktorëve lokalë për vlerat turistike;
- Identifikimin e masave strategjike për shfrytëzimin e potencialit të plotë të sektorit;
- Emigracionin dhe tendencat demografike në zonat rurale;
- Rëndësinë e kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit mes 4 helikave, me qëllim nxitjen e zhvillimit inteligjent;
- Mënyrat e menaxhimit të fluksit turistik nga sektorit privat;
- Mungesën e burimeve financiare;
- Kapacitetin dhe njohuritë e sektorit privat për të përballuar ofertën në treg;
- Domosdoshmërinë e publikimeve të analizave cilësore, statistikave dhe të dhënave të tjera që mundësojnë informacion më të thelluar për turizmin malor;
- Avantazhet konkurruese që ka Shqipëria për t’u specializuar në këtë fushë prioritare zhvillimi;
- Konkurrueshmërinë.
Përfundimet e nxjerra nga bashkëpunimi ndërsektorial dhe rrjetëzimi me aktorët kryesorë do të shërbejnë si bazë për workshop-in kombëtar në fushën e turizmit.