Turizmi përbën një fushë prioritare me potencial inovativ për ekonominë, identifikuar në kuadër të Strategjisë për Specializim Inteligjent (S3) mbi bazën e një analize të detajuar të kapaciteteve, burimeve, si dhe avantazheve konkurruese që Shqipëria zotëron. Hartimi i S3 është pjesë e detyrimeve të Shqipërisë sa i takon procesit të negociatave për anëtarësim në BE, specifikisht kapitullit 20 “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale” dhe kapitullit 25 “Shkenca dhe Kërkimi”, si dhe pjesë e planit të veprimit të Ballkanit Perëndimor 2021-2024, në kuadër të Procesit të Berlinit, gjithashtu, pjesë e agjendës së BE për inovacionin për Ballkanin Perëndimor 2021-2027.
Në këtë kontekst, Ekipi Kombëtar i S3, me mbështetjen e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, organizoi sipas metodologjisë së Qendrës së Përbashkët Kërkimore të Komisionit Evropian (JRC), tryezën e rrumbullakët për sektorin e agroturizmin më 3 nëntor 2022, në mjediset e Hotel Xheko Imperial.
Në takim morën pjesë rreth 35 përfaqësues të institucioneve shtetërore, akademisë, biznesit dhe shoqërisë civile, të cilët diskutuan mbi nevojat e sektorit dhe mundësitë për shfrytëzimin e potencialit të plotë sa i takon zhvillimit inteligjent në fushën e agroturizmit.
Takimi u nis me fjalën përshëndetëse të tre prej anëtarëve të panelit: Z. Enio Civici Zëvendësminisër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Znj. Kornelia Ferizaj, Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe znj. Matilda Naco, Drejtore Ekzekutive e Shoqatës së Turizmit Shqiptar, të cilët ndanë me të pranishmit eksperiencat e tyre të çmuara. Z. Arben Shkodra, sekretar i përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë dhe anëtar i Ekipit Kombëtar të S3, pjesë e panelit, orientoi diskutimin mes pjesëmarrësve.
Ky takim u organizua në dy pjesë, ku gjatë sesionit të parë të ftuarit trajtuan në formën e bashkëbisedimit sfidat, mundësitë dhe perspektivën për zhvillimin e sektorit, ndërsa gjatë sesionit të dytë analizuan rrugëtimin drejt një specializimi inteligjent në sektorin e agroturizmit. Në përfundim të tryezës të ftuarit dhanë mendimet e tyre lidhur me masat strategjike të nevojshme për shfrytëzimin e potecialit të plotë të sektorit me në fokus nxitjen e inovacionit dhe kërkimit shkencor.
Të ftuarit gjatë diskutimeve mes të tjerash evidentuan:
- Prioritizimin e sektorit të agroturizmit dhe efektivitetin e politikave në mbështetje të agroturizmit;
- Kërkesën në rritje për burime njerëzore;
- Problematikat e sektorit, me në fokus emigrimin, tendencat e lëvizjes demografike, brain drain dhe nevojën e rritjes së konkurrueshmërisë në treg;
- Kërkimin shkencor, performancën e universiteteve dhe instituteve kërkimore në vend duke përshtatur kurrikulat e tyre me nevojat e tregut;
- Rëndësinë e bashkëpunimit mes aktorëve të helikës së 4-fishtë, në kuadër të hartimit të strategjive dhe politikave inteligjente.
Përfundimet e nxjerra nga bashkëpunimi ndërsektorial dhe rrjetëzimi me aktorët kryesorë do të shërbejnë si bazë për workshop-in kombëtar në fushën e turizmit.