Inagurimi i Qendrës Rajonale të Inovacionit të Institutit Evropian të Inovacionit dhe Teknologjisë për lëndët e para
Hapja e Qendres Rajonale të Inovacionit të Institutit Evropian të Inovacionit dhe Teknologjisë për lëndët e para shënon një moment vendimtar në rrugën e Shqipërisë drejt modernizimit dhe avancimit të sektorit të lëndëve të para dhe përgatitjen e tij për sfidat e të ardhmes.
Qendra Rajonale e Inovacionit e EIT për Lëndët e Para në Shqipëri, si një qendër për inovacionin, bashkëpunimin dhe praktikat e qëndrueshme, do të jetë një hap i rëndësishëm në transformimin e sektorit të lëndëve të para në Shqipëri, duke përforcuar angazhimin e Qeverisë Shqiptare për të arritur objektivat e Aktit të BE-së për lëndët e para kritike (EU CRM Act) dhe për ta kthyer Shqipërinë në partner strategjik të BE për këtë sektor. Duke pasur parasysh se sektori i lëndëve të para është pjesë e prioriteteve të planit të rritjes për Ballkanin Perëndimor, kjo nismë do të kontribuojë në mënyrë thelbësore në zhvillimin rajonal dhe pozicionimin strategjik të Shqipërisë edhe brenda zinxhirit të vlerës së BE-së.
Mbështetja e veçantë e Qeverisë Shqiptare për sektorin e lëndëve të para, siç dhe reflektohet në Strategjinë e Specializimit Inteligjent (S3), që synon ta kthejë Shqipërinë në një lojtar kyç në peizazhin industrial dhe si partner strategjik i BE-së në integrimin në zinxhirët e furnizimit global, por dhe përfshirja e këtij sektori në prioritetet e Qeverisë Shqiptare për mbështetjen nga Growth Plan, evidenton qëllimin ambicioz të Shqipërisë në rrugëtimin e integrimit në BE.
Prioritizimi i këtij sektori, duke përfshirë edhe ngritjen dhe forcimin e kësaj Qendre, erdhën si rezultat i konsultimeve të gjera me aktorët e helikës së katërfishtë në Shqipëri (qeveria, akademia, biznesi, shoqëria civile), në kuadër të S3, si dhe të tryezave të zhvilluara nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, që sollën në pah nevojën dhe interesin e aktorëve të këtij sektori për t’u zhvilluar dhe investuar në teknologji dhe inovacion me objektivin për t’u integruar në zinxhirin e vlerave të BE, por dhe për të investuar në kapitalin njerëzor, një aspekt tejet i rëndësishëm për zhvillimin e sektorëve prioritare dhe tashmë një prioritet për Qeverinë Shqiptare.
Bashkëpunimi i nisur me EIT RawMaterials do të jetë mjaft i rëndësishëm për të çuar përpara qëllimet e Agjendës së Gjelbër dhe Agjendës së Inovacionit për Ballkanit Perëndimor duke patur si objektiv kthimin e kësaj Qendre në një qendër për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke e kthyer Shqipërinë në pararojë të inovacionit dhe bashkëpunimit në rajon.
Qendra do të bëhet pika kryesore e kontaktit për palët e interesuara të sektorit të lëndëve të para në Shqipëri e më gjerë, duke ndihmuar në shkëmbimin e ndërsjelltë të informacionit, duke krijuar sinergji me programet kombëtare shqiptare dhe evropiane, duke ndihmuar në avancimin e sipërmarrjes dhe aftësive dhe promovuar edukimin STEM të përshtatur për nevojat e industrisë në të ardhmen, me fokus të veçantë në:
- ngritjen e kapaciteteve njerëzore duke investuar në trajnimin dhe zhvillimin e aftësive të specialistëve në fushën e lëndëve të para;
- krijimin e kapaciteteve kërkimore përmes open research infrastructure duke optimizuar kështu investimet në laboratorë dhe pajisje dhe aplikimin e teknologjive të reja dhe qasjeve innovative në sektor;
- modernizimin e sektorit minerar, industrive nxjerrëse dhe përpunuese për ta përshtatur atë me kërkesat e kohës dhe standardet ndërkombëtare, si dhe për të plotësuar kërkesat e një industrie të avancuar teknologjikisht dhe krijuar hapësirat për krijimin e partneriteteve strategjike.
Këto angazhime do të mundësojnë që sektori minerar të jetë i pajisur për t'u përshtatur dhe për të operuar në një mjedis ndërkombëtar, evropian më të gjerë, duke krijuar qasje dhe partneritete të reja që ndihmojnë Shqipërinë për të qenë një partner strategjik i BE dhe duke e pozicionuar Shqipërinë në krye të Ballkanit Perëndimor në trajektoren e saj drejt integrimit në BE.
Më poshtë gjeni videon e aktivitetit të zhvilluar për këtë qëllim dhe fjalët e Znj. Belinda Balluku, Zëvendëskryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Z. Berndt Sheffer, CEO i EIT Raw Material dhe Z. Silvio Gonzato, Ambasador i Bashkimit Evropian në Tiranë: