Cfarë është Strategjia e Specializimit Inteligjent? (S3 – Smart Specialization Strategy)

Cfarë është Strategjia e Specializimit Inteligjent? (S3 – Smart Specialization Strategy)

Strategjia e Specializimit Inteligjent (S3- Smart Specialisation Strategy) u konceptua në kuadër të politikës së reformuar të kohezionit të Komisionit Evropian (EU Cohesion Policy) në lidhje me aspektet e zhvillimit të rajoneve të vendeve anëtare të BE. S3 është një qasje e bazuar tek territori (place-based approach) që karakterizohet nga identifikimi i fushave prioritare strategjike me avantazh të lartë konkurues të një rajoni apo një vendi, ku duhet të ketë ndërhyrje nga ana e qeverisë qëndrore e lokale. Strategjia  mbështetet  qoftë  në analizën e pikave të forta dhe potencialin e ekonomisë rajonale apo në raste të vendeve të vogla  edhe të  asaj kombëtare (si në rastin e Shqipërisë) por nga ana tjetër mbështetet edhe në një proces gjithëpërfshirës, të quajtur Entepreneurial Discovery Process (EDP), ku përfshihen të gjitha palët e interesuara nga helika e katërfishtë (Quadruple Helix) që përfshin: 1) Qeverinë (qendrore dhe lokale), 2) Biznesin,  3) Akademinë, 4) Shoqërinë Civile.

S3 ofron një analizë të situatës me një qasje të gjerë me fokus inovacionin, duke përfshirë, por pa u kufizuar, tek prirjet që lidhen me teknologjinë.

Elementët kyç të Strategjisë së Specializimit Inteligjent (S3)

S3 bazohet në parimett kryesore të mëposhtme:

- qasje që mbështetet tek një territor apo vend i caktuar (place-based approach), që do të thotë se mbështetet  në asetet dhe burimet që kanë në dispozicion rajonet dhe  dhe sfidat e tyre specifike socio-ekonomike, në mënyrë që të identifikohen mundësitë unike për zhvillim dhe rritje ekonomike.

- Të kesh një strategji do të thotë të bësh zgjedhje për investime. Shteti dhe rajonet duhet të mbështesin vetëm një numër të kufizuar prioritetesh apo grupe (clustera) të mire-identifikuara fushash apo sektorësh për investime që mbështeten tek dija (knoëledge-based investments).

- Specializim do të thotë përqendrimi në pikat më të forta që ofrojnë avantazhe konkurruese dhe potencialet reale të rritjes ekonomike, që mbështeten nga një masë kritike aktivitetesh dhe burimesh të sipërmarrjes.

- Përcaktimi i prioriteteve nuk duhet të jetë një proces nga lart-poshtë, që përcakton fituesin. Në këtë rast, duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës i palëve të interesuara i përqendruar në zbulimin e këtyre prioriteteve përmes aktorëve të helikës së katërfishtë përmes një sistemi nga poshtë lart (bottom up approach). Ky është një proces ndërveprues në të cilin forcat e tregut dhe sektori privat zbulojnë, identifikojnë dhe ofrojnë informacion rreth aktiviteteve të reja, dhe qeveria vlerëson rezultatet dhe fuqizon aktorët më të aftë për të realizuar potencialin e tyre.

- S3 duhet të përfshijë një këndvështrim të gjerë të aspekteve të inovacionit, duke u mbështetur në inovacionin teknologjik, qoftë atë praktik apo edhe atë social. Kjo do t'i mundësonte çdo rajoni dhe shteti t’i përzgjidhte politikat e zhvillimit sipas kushteve të tyre unike socio-ekonomike.

- një strategji e mirë e specializimit inteligjent duhet të përfshijë një sistem të shëndoshë monitorimi dhe vlerësimi, si dhe një mekanizëm rishikimi për përditësimin e zgjedhjeve strategjike.

Këto elemente duhet të pasqyrohen qartë në dokumentet e S3 dhe të shpjegohen në mënyrë shteruese.

Hartuesit e strategjisë duhet të kenë parasysh gjithashtu se arsyeja pse  S3 u bë një kusht paraprak (ex-ante) për vendet e BE për investimet e Fondit Europian për Zhvillim Rajonal- ERDF – European Regional Development Fund, në fushën e kërkimit shkencor dhe inovacionit ishte për të siguruar që fondet e ERDF a) përshtaten me politikën e përgjithshme të kërkimit shkencor dhe inovacionit të BE (“Karakteristikat e sistemeve kombëtare dhe rajonale të kërkimit dhe inovacionit me performancë të mirë”), b) plotësojnë financimet ekzistuese në nivel kombëtar ose rajonal dhe masat që janë pjesë e këtyre politikave dhe c) mbështesin masat efektive që ofrojnë stimuj për investimet private në fushën e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit.

Përcaktimi i prioriteteve në një Strategji të Specializimit Inteligjent (S3- Smart Specialization Strategy)

Një Strategji e Specializimit Inteligjent duhet t'i japë përparësi fushave, zonave dhe aktiviteteve ekonomike ku rajone të caktuar ose vendi në tërësi kanë një avantazh konkurrues. Gjithashtu, ato duhet të kenë potencial për të gjeneruar rritje ekonomike të nxitur nga njohuritë dhe për të sjellë transformimin ekonomik të nevojshëm për të trajtuar sfidat kryesore dhe më urgjente për shoqërinë, natyrën dhe mjedisin. Numri dhe natyra e këtyre prioriteteve mund të ndryshojë nga rajoni në rajon. Megjithatë, kur hartohet një Strategji e Specializimit Inteligjent duhet të identifikohet një grup i parë prioritetesh, të cilat mund të ndryshohen ose modifikohen kur informacionet/zhvillimet e reja e bëjnë këtë të këshillueshme.

Prioritetet në S3 mund të përcaktohen në aspektin e fushave ose njohurive (jo vetëm ato që mbështeten në shkencë, por edhe ato sociale, kulturore dhe krijuese), nën-fushat brenda një sektori, ose duke i ndarë sektorët ekonomikë që korrespondojnë me zona specifike të tregut, grupe, teknologji, ose aspekte të aplikimit të teknologjive për sfidat specifike shoqërore, mjedisore ose shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve (p.sh. aspektet e ICT në ndihmë të moshave të treta, zgjidhjet për të reduktuar bllokimin e trafikut, materialet inovative për eko-ndërtimet, etj.). Ndërsa disa rajone ose vende mund të kenë prioritet një ose më shumë teknologji kyçe, të tjerët do të fokusohen në zbatimin e teknologjive të tilla për qëllime specifike ose fusha të përcaktuara.

Inovacioni social, organizativ, i tregut dhe i shërbimeve, ose inovacioni i bazuar në praktikë, luajnë një rol po aq të rëndësishëm në Strategjinë e Specializimit Inteligjent, sa edhe inovacioni teknologjik që mbështetet në kërkimin shkencor. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për rajonet ku aspekti teknologjik dhe shkencor është relativisht më i dobët.

S3 përfshin jo vetëm inovacionin rrënjësor, por edhe shfrytëzimin e aspekteve të veçanta, duke sjellë inovacion në fushat tradicionale, nëpërmjet zhvillimit dhe aplikimit të modeleve të reja të biznesit ose atë organizative, si edhe përshtatjen/shfrytëzimin e inovacioneve që rrjedhin nga njohuritë dhe përvoja  në këto fusha.

Më shpesh, përzgjedhja e fushave, sektorëve ose aktiviteteve specifike ekonomike prioritare duhet të plotësohen me masa horizontale. Këto synojnë realizimin e kushteve kuadër të përshtatshme për sipërmarrjen, duke mbështetur në funksionimin e të gjitha llojeve të kompanive si në tregjet vendase ashtu edhe ato ndërkombëtare, si dhe për zhvillimin e bashkëpunimeve ndërmjet këtyre kompanive, grupeve të kompanive të njëjta apo kompanive që janë në zonat ndërkufitare.

Kuptimi i koncepteve 'niche' dhe 'domain' të aspekteve të Strategjië së Specializimit Inteligjent

Shprehjet niche dhe domain në kontekstin e specializimit inteligjent janë të lidhura ngushtë. Për ta thënë me pak fjalë, një produkt niche (i vecantë), në një mjedis biznesi, është i lidhur me një domain premtues që pasohet me njohuri dhe ide novatore. Kjo marrëdhënie është aq e afërt sa që të dy shprehjet përdoren shpesh si sinonime.

Me fjalë të tjera, fjala niche (produkt i vecantë/specifk) i referohet tregut, ndërsa domain i referohet njohurive njerëzore (shkencore, teknologjike, të bazuara në praktikë, etj.). Një niche (produkt i vecantë/specifk) është një pjesë e tregut të konsumatorit që është i lidhur me produkte ose shërbime specifike. Zakonisht përcaktohet nga profili i klientëve potencialë dhe nevojat e tyre dhe përmbushja e këtyre nevojave është qëllimi i kompanisë për të identifikuar produktin niche përkatës.

Fjala "niche" mbart në mënyrë implicite konotacionin e një pjese të vogëltë tregut, ku kompania që u shërben nevojave specifike të klientëve përmes produkteve të synuara dhe të diferencuara, mund të jetë më pak e ekspozuar ndaj konkurrencës globale dhe ka kosto të ulët. Natyrisht, si në të gjitha tregjet, edhe këto niche (produkte të vecantë/specifk) janë subjekt i ndryshimit dhe kërkojnë inovacion të vazhdueshëm dhe përpjekje nga ana e kompanive që operojnë në to.

Një fushë specializimi (specialization domain) është një fushë kërkimi shkencor, zhvillimi ose inovacioni e karakterizuar nga njohuri të veçanta. Mund të përcaktohet ose në aspektin e aftësive, teknologjisë ose funksionalitetit të produktit. Ekzistenca e një domain specializimi është shpesh një parakusht për të patur kapacitet për të zhvilluar produkte ose shërbime inovative për tregje specifike.

Një fushë/sektor specializimi inteligjent (A smart specialisation field/area) ka të bëjë me aftësinë për të përputhur në mënyrë efektive domenet e njohurive me potencialet e tregut, ndoshta në funksion të një tregu të veçantë. Vetëm njohuritë nuk gjenerojnë domosdoshmërisht vlerën ekonomike në vetvete që pasqyrohet në GDP. Nga ana tjetër, produktet që kanë dalë në treg falë zhvillimit të tyre nga njohuri të pakta nuk mund ta mbajnë pozicionin e tyre në treg për një kohë të gjatë. Ata e humbasin luftën me konkurencën që është për mallrat e padiferencuara, pra që nuk janë mallra niche por bëjnë pjesë tek mallrat apo produktet të ashtuquajturat "homogjene". Prandaj, fushat apo sektorët e specializimit inteligjent shpesh gjenden në kryqëzimin e sektorëve, teknologjive ose të njohurive.

Metodologjia e hartimit të Strategjisë së Specializimit Inteligjent (S3)

Prioritetet e një rajoni apo vendi në kuadër të S3 duhet të identifikohen bazuar në dy procese themelore:

  1.  Një analizë objektive e situatës aktuale të rajonit/vendit për sa i përket situatës ekonomike, kërkimit shkencor dhe inovacionit e quajtur analizë sasiore dhe cilësore.

Në këtë analizë përfshihen infrastrukturat ekzistuese të strukturave industriale (përfshirë grupimet e sektorëve të industrisë dhe pozicioni i tyre në krijimin e zinxhirit të vlerës), niveli i aftësive dhe kapitali njerëzor (akademik dhe të tjerë), kërkesat e pritshmëritë në nivel publik e shoqëror, buxhetet publike dhe private për kërkimin shkencor dhe inovacionin, kushtet kuadër për funksionimin e ekosistemeve të inovacionit. Analiza duhet të marrë parasysh kontekstin ekonomik  të vendit apo rajonit të cilit i përket strategjia. Strategjia gjithashtu duhet të shqyrtojë boshllëqet, barrierat dhe potencialet për zhvillimin e ardhshëm ekonomik në një perspektivë intensive të ekonomisë së dijes, duke përfshirë potencialet që do të kërkojnë bashkëpunim me aktorët e inovacionit në vende apo rajone të tjera. Kjo nënkupton përdorimin e mjeteve e metodologjive për të treguar se çfarë lloj aktivitetesh, sektorësh apo nënsektorësh ekonomikë kanë shanset më të larta për sukses në një rajon apo vend të caktuar, bazuar në burimet lokale dhe një analizë të avantazheve dhe elementëve krahasues me konkurrentët e tjerë evropianë dhe globalë.

  1.  Procesi i zbulimit/identikimit përmes Sipërmarrjes (Entepreneurial Discovery Process- EDP)

EDP përdor njohuritë e sektorit të sipërmarrjes që ekzistojnë në një rajon ose vend. Në këtë kuadër përfshihen të gjitha qasjet e sipërmarrjes në kuptimin e analizës së mundësive të tregut, dallimit nga të tjerët, marrjen (dhe menaxhimin) e rreziqeve dhe identifikimin e aleancave për të optimizuar aksesin dhe përdorimin e burimeve qofshin këto njerëzore, financiare, intelektuale, tregu etj. Kjo do të thotë që politikëbërësit duhet të përfshijnë në këtë proces, përmes qasjes së helikës së katërfishtë (Quadruple Helix), të gjithë llojet e aktorëve si 1) qeveria 2) akademia, 3) biznesi dhe 4) shoqëria civile, duke bërë vlerësimin e propozimeve të tyre për zhvillimin ekonomik dhe investimet e ardhshme. Anketat e thjeshta mes këtyre aktorëve nuk janë të mjaftueshme. Thelbi i procesit të EDP qëndron në natyrën e tij ndërvepruese që bashkon aktorët e ndryshëm në një proces pjesëmarrës për të krijuar së bashku fushat apo sektorët e specializimit inteligjent dhe për të zhvilluar një ndërthurje të përshtatshme të politikave për zbatimin e kësaj qasje.

Mbi të gjitha, përcaktimi i prioriteteve të specializimit inteligjent nuk mund të konsiderohet si një proces i drejtpërdrejtë, rezultati i të cilit mund të vendoset një herë e përgjithmonë. Përcaktimi i prioriteteve kërkon një shkallë të caktuar eksperimentimi me mjetet e reja të politikave, në mënyrë ideale përmes projekteve pilot gjatë procesit të përgatitjes dhe përditësimit të Strategjisë së Specializimit Inteligjent. Kjo nga ana tjetër kërkon një sistem të fortë qeverisjeje me mbështetje të mjaftueshme politike, në mënyrë që të marrë rreziqe dhe të lejojë edhe dështime nga të cilat mund të nxirren mësime.

Një tipar kyç i S3 është mbështetja e tij në bashkëpunimin shumëpalësh. Kjo do të thotë se asnjë institucion i vetëm (psh as Banka Botërore dhe sigurisht as konsulentët), të vetëm nuk është në gjendje të shkruajë një strategji të tillë. S3 ka të bëjë me partneritetin dhe duhet të zhvillohet me përfshirjen aktive të shumë aktorëve, duke përfshirë kompanitë e biznesit, sektorin e akademisë, organizatat e shoqërisë civile, si dhe autoritetet kombëtare, rajonale dhe lokale. Natyra e saktë e këtij partneriteti ndryshon sipas strukturave institucionale kombëtare dhe rajonale.

Përfshirja e sipërmarrësve, e përcaktuar gjerësisht, është veçanërisht e rëndësishme për zhvillimin e S3, kjo fazë e procesit quhet Procesi i Zbulimit/Identikimit përmes Sipërmarrjes (Entepreneurial Discovery Process- EDP), sepse ata kanë më shumë informacion dhe njohuri se çfarë ka të ngjarë të funksionojë në një vend të caktuar dhe me kë mund të jetë i dobishëm bashkëpunimi. Ky lloj ndërtimi i kapaciteteve institucionale nuk mund të ndodhë brenda natës dhe duhet të përforcohet me zhvillimin dhe zbatimin e strategjisë. Po kështu, EDP mund të përshkruhet, gjithashtu, si një "udhëtim" pa fillim apo fund. Kjo është arsyeja pse aspektet e menaxhimit të S3 duhet të monitorohen dhe vlerësohen vazhdimisht dhe të modifikohen nëse është e nevojshme.

Rreziku, suksesi dhe dështimi në kontekstin e Strategjisë së Specializimit Inteligjent- S3

Rreziku i dështimit është i natyrshëm për inovacionin dhe kjo pranohet plotësisht nga Komisioni Evropian – por mënyra se si menaxhohet rreziku mund të ndikojë në suksesin e S3. Para se të përcaktojmë se çfarë nënkuptohet me sukses ose dështim, është e dobishme të bëhet dallimi midis aktiviteteve inovative të kompanive dhe masave inovative të ofruesve të mbështetjes, duke përfshirë institucionet publike. Inovacioni i biznesit ka si përkufizim një rrezik më të lartë se aktivitetet jo-inovative, por kur është i suksesshëm ka të ngjarë të sjellë fitime më të larta për investime, punë dhe rritje. Përdorimi i masave inovative mbështetëse përfshin gjithashtu një nivel të caktuar rreziku, por gjithashtu ka potencial për të arritur rezultate më të mira.

Të dy llojet e inovacionit duhet të shoqërohen me zbutjen ose menaxhimin e duhur të rrezikut. Për shembull, në lidhje me dështimin e mundshëm të projekteve të inovacionit të biznesit, Komisioni Europian  rekomandon ndërthurje koherente të politikave, të tilla si kombinimi i shërbimeve këshillimore me rrjetëzimin dhe grupimin, si dhe mbështetje të drejtpërdrejtë financiare. Komisioni Europian  gjithashtu promovon rritjen e përdorimit të instrumenteve financiare që rrisin ndarjen e rrezikut. Për sa i përket redukimit  të rrezikut të dështimit të mekanizmave të mbështetjes publike, Komisioni  Europian inkurajon eksperimentimin(pilotimin). Kjo mund të përfshijë ndërhyrje pilot që më pas mund të braktisen ose ndryshohen; kjo qasje vlen jo vetëm për veprimet inovative për zhvillim të qëndrueshëm urban, por për të gjitha investimet e lidhura me inovacionin.

Për të përcaktuar nëse ka sukses apo jo në nivelin e aktiviteteve, është me rëndësi të madhe të vendosen tregues (indikatorë) domethënës, që përfshijnë një qasje realiste kohore. Psh rritja e punësimit për shkak të inovacionit të biznesit mund të mos materializohet brenda periudhës së programuar dhe përdorimi i këtij treguesi mund të mos jetë i vlefshëm.

Nga ana tjetër, zhvillimi dhe testimi i një prototipi, format e reja të bashkëpunimit përgjatë zinxhirit të vlerës së produktit, ose rritja e bashkëpunimit me institutet kërkimore, mund të materializohen me kalimin e kohës, dhe për këtë arsye mund të përdoren tregues (indikatorë) të veçantë. Vendosja dhe kuantifikimi i treguesve duhet të marrë, gjithashtu, parasysh nivelin e rrezikut dhe sa inovative janë masat që do të mbështeten nga investimi i propozuar.

Përfshirja e aktiviteteve ose politikave që nuk lidhen me fondet e BE-së në një Strategji të Specializimit Inteligjent- S3

Kjo parashikohet në shumicën e rasteve. Për shembull, mjedisi rregullator dhe administrativ, duke përfshirë financimin e universiteteve, stimujt fiskalë dhe strukturat mbështetëse të kërkimit shkencor dhe inovacionit, si dhe marrëveshjet e përgjithshme të Qeverisë apo institucioneve shtetërore, mund të jenë vendimtare për suksesin e S3.  Megjithatë, këto masa plotësuese varen nga politikat e veçanta dhe konteksti institucional i çdo shteti.

Niveli i përshtatshëm administrativ/gjeografik për një Strategji të Specializimit Inteligjent S3 kombëtar ose rajonal

Kjo varet nga arkitektura institucionale dhe territoriale e çdo shteti, si dhe nga niveli administrativ përgjegjës për kompetencat në fushën e kërkimit shkencor, zhvillimin  teknologjik dhe inovacionin. I takon shteteve të vendosin se çfarë u përshtatet më së miri atyre, në dritën e strukturave të tyre qeverisëse. Për sa i përket një S3  në nivel kombëtar ajo lidhet me strategjinë kombëtare për kërkim shkencor dhe inovacion.

Në nivel të BE, rekomandohet fuqimisht që autoritetet në nivelin më të rëndësishëm territorial (NUTS I, II ose III) në lidhje me procesin e vendimmarrjes, si për hartimin e S3, dhe për menaxhimin e fondeve strukturore të BE-së, të regjistrohen si anëtarë të Platformës të Strategjisë së Specializimit Inteligjent – Platforma S3 që menaxhohet nga Joint Research Center (JRC) e Komisionit Evropian me qendër në Sevilje të Spanjës.

Roli i parqeve shkencore dhe biznesit në Strategjinë e Specializimit Inteligjen - S3

Udhëzimet e Komisionit Evropian theksojnë rolin e rëndësishëm që duhet të luajnë të gjithë aktorët e inovacionit në procesin e hartimit dhe zbatimit të S3. Parqet shkencore & teknologjike dhe bizneset janë aktorë thelbësorë për t'u përfshirë në kuadrin e menaxhimit të S3 dhe kontributi i tyre për fazën e prioritizimit duhet të konsiderohet një element kyç në proces.

Përveç kësaj, këto parqe kontribuojnë në dimensione të tjera të S3: strukturat  e tyre drejtuese kanë përvojë në stimulimin dhe menaxhimin e flukseve të njohurive dhe informacionit midis kompanive, universiteteve e sipërmarrësve, dhe ofrojnë një mjedis që rrit një kulturë inovacioni, kreativiteti. dhe cilësie. Ato lehtësojnë krijimin e start-up-ve nëpërmjet mekanizmave të inkubacionit dhe spin-off, dhe përshpejtojnë rritjen e kompanive të vogla dhe të mesme dhe punojnë në një rrjet global që mbledh mijëra kompani inovative dhe institucione kërkimore në të gjithë botën, duke lehtësuar ndërkombëtarizimin e kompanive vendase.

Përveç kësaj, kompanitë e vendosura në parqet shkencore apo të biznesit janë të specializuara në aktivitete shumë specifike të disa sektorëve të ndryshëm. Kjo është arsyeja pse shumë herë, kur këto kompani bashkëpunojnë me kompani të tjera, krijohen produkte, shërbime ose teknologji të reja të prodhuara përmes kombinimit të aktiviteteve të ndryshme dhe sektorëve të ndryshëm. Ky proces i ndërthurjes së aktiviteteve dhe sektorëve (diversiteti i lidhur) është, gjithashtu, një nga aktivitetet në agjendën e përditshme të strukturave drejtuese të këtyre parqeve dhe ato mund të japin shumë shembuj se si zhvillohen ato.

Zbatimi i Strategjisë së Specializimit Inteligjent- S3: nevoja për informacion mbi ndërthurjen e politikave

Një Strategji e Specializimit Inteligjent- S3 duhet të përshkruajë ndërthurjen e politikave (të financuara nga BE dhe aktorë të tjerë) që do të përdoren për zbatimin e saj. Vizionet dhe objektivat e thjeshta politike nuk mjaftojnë. Masat e përshkruara në veçanti duhet të jenë të përshtatshme për të nxitur investimet private në kërkim shkencor dhe inovacion, çka do të thotë se rekomandohet përfshirja e sipërmarrësve në hartimin e mjeteve mbështetëse individuale dhe në konceptin e sistemit të përgjithshëm të mbështetjes së inovacionit, i cili duhet të përmbajë jo vetëm mbështetje financiare të drejtpërdrejtë për projekte specifike në kërkim shkencor & inovacionit, por edhe platforma bashkëpunimi, shërbime mbështetëse, infrastruktura, etj.