Procesi i hartimit të Strategjisë së Specializimit Inteligjent ( S3)

Ecuria e procesit të hartimit të S3 është pjesë e raportimit periodik pranë Komisionit Evropian si pjesë e Kapitullit 20 “Ndërmarrjet dhe politikat Industriale” dhe Kapitullit 25 “Shkenca dhe Kërkimi”. Ajo është pjesë gjithashtu, e:

-        Agjendës së BE për Ballkanin Perëndimor 2021-2027:

   Overview

   Action table

   Forthcoming actions

- Common Regional Market

    Action Plan 2021-2024 për Ballkanin Perëndimor 

Historiku

S3 nisi në Dhjetor 2016 me organizimin e një Konference Kombëtare të organizuar nga Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë, e mbështetur nga TAIEX – Technical Assistance and International Exchange of Experts e BE. Konferenca synonte ta lidhte këtë process me reformën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, si një nevojë për një bashkëpunim më të mirë mes IAL dhe biznesit, për një përafrim më të mirë me objektivat e zhvillimit rajonal dhe kërkesën e tregut të punës. 

Një nga rezultatet e kësaj konference ishte krijimi i një grupi pune informal, të përbërë nga ekspertë të fushave të ndryshme. Ata nisën një punë paraprake deri në zyrtarizimin e tyre formal në vitin 2018 për të mbledhur të dhëna të ndryshme, veçanërisht për sa i përket kuadrit strategjik sektorial të zhvillimit social-ekonomik. 

Në vitin 2017 Shqipëria u regjistrua në platformën e posaçme të Qendrës së Përbashkët të Kërkimit Shkencor (JRC- Joint Research Center) të Komisionit Evropian për Strategjinë e Specializimit Inteligjent. Kliko ketu

Ndërkohë në vitin 2018, Grupi i Punës që kishte punuar deri në atë periudhë duke patur në përbërje të tij përfaqësues nga institucione të ndryshme, si biznesi dhe akademia, u zyrtarizua nëpërmjet miratimit të Urdhrit të Ministrit të Arsimit, Sportit e Rinisë. Në këtë Grup Pune u përfshinë më shumë aktorë që u përkisnin institucioneve të ndryshme duke përfshirë Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR),  Agjencinë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI),  Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE), Bashkimin e Prodhuesve Shqiptarë,  Agjencinë për Zhvillimin Rajonal 2, Institucionet e Arsimit të Lartë, etj.

Grupi i Punës për hartimin e S3 ngriti dhe Ekipin Analitik Kombëtar me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga institucione të ndryshme dhe ekspertë si:

  •   INSTAT
  •   Departamenti i Statistikave në Universitetin e Tiranës
  •   AIDA
  •   Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale, etj. 

Në këtë kuadër, u organizuan disa aktivitete dhe seminare trajnimi për ngritjen e kapaciteteve në kuadër të S3. Nga ana e ekspertëve teknikë vendas që mbështesnin Ekipin Kombëtar të S3 u krijua një bazë të dhënash me dokumentacion mbështetës, u bë vlerësimi e rishikimi i 12 strategjive sektoriale e ndërsektoriale e dokumenteve të politikave të miratuara me impakt në Strategjinë e Specializimit Inteligjent.

Në vitin 2018, procesi i hartimit të S3 u bë pjesë e Agjendës Rajonale të Ballkanit Perëndimor  si pjesë e Shtyllës për Rritje Ekonomike Inteligjente (Smart Growth Pillar), si pjesë e  Planit Shumëvjeçar të  Veprimit  për Zonën Ekonomike Rajonale (Multi Annual Action Plan for Regional Economic Area – MAP  REA).

Për të ndihmuar ekonomitë e Ballkanit Perëndimor në procesin e hartimit të Strategjisë së Specializimit Inteligjent, JRC orienton dhe monitoron procesin e hartimit të S3 përmes një kuadri metodologjik ku parashikohen të gjithë hapat që duhet të ndiqen deri në draftimin përfundimtar të dokumentit strategjik dhe që mund të përdoret si udhëzues. Kliko ketu

Ekipi Kombëtar i S3 me mbështetjen e ekspertëve të JRC ka hartuar një Udhërrëfyes për S3 mbështetur në kuadrin e sipërpërmendur. Deri më tani, janë ndërmarrë disa hapa për të hartuar një Strategji në nivel kombëtar, duke mbajtur parasysh dhe perspektivën rajonale me fokus në potencialin e 12 qarqeve të Shqipërisë.

Konsideruar që kjo parashikohet të jetë një strategji ombrellë, që prek një sërë sektorësh, dhe përfshin një numër të konsiderueshëm institucionesh qendrore dhe vendore, është parashikuar koordinimi i këtij procesi nga Zëvendëskryeministri.

Përmes urdhrit të Kryeministrit nr. 13 datë 7.2.2023, u ngrit Komiteti Ndërministror i kryesuar nga Zëvendëskryeministri, për ndjekjen e procesit të hartimit dhe implementimit të S3, i cili mbështetet në nivel teknik nga Ekipi Kombëtar i S3, që përfshin ekspertë nga institucione të ndryshme qendrore dhe vendore, universitetet, biznesi dhe ekspertë të pavarur. 

Duke qenë se tashmë procesi ka hyrë në fazat e tjera shumë të rëndësishme, si: angazhimi i drejtpërdrejtë i aktorëve në sektorët ekonomikë, akademikë dhe kërkimorë përkatës, rakordimi i gjetjeve në lidhje me mangësitë në aftësi dhe kompetenca dhe kapitalin human brenda dhe jashtë vendit në sektorë të ndryshëm ekonomikë, koordinimi në nivel qendror, duke mundësuar njëkohësisht rakordimin me politikat qeveritare dhe angazhimet për integrimin në BE, është kyç për finalizimin e tij.

KE ka ofruar ekspertizat e nevojshme, si dhe ka organizuar trajnimet e parashikuara në proces, si dhe parashikohet të mbështesë procesin në vijim.

Strategjia S3 për Shqipërinë parashikohet të finalizohet brenda gjashtëmujorit të parë të 2024.