Strategjia e Specializimit të Zgjuar (S3) në Shqipëri: Një Qasje e Re Strategjike për Inovacionin

Qasja e Specializimit të Zgjuar

Vitet e fundit, vendet dhe rajonet në Bashkimin Evropian (BE) kanë zhvilluar Strategjitë e Specializimit të Zgjuar (S3) si një mjet i ri për nxitjen e inovacionit dhe zhvillimit rajonal. Qasja S3, që po fiton interes në rritje në mbarë botën, është e bazuar në vendin respektiv dhe synon të identifikojë disa fusha prioritare të ekonomisë rajonale/kombëtare ku ndikimi i investimeve publike në kërkim, zhvillim dhe inovacion mund të jetë shumë i rëndësishëm. Ai thekson potencialin e lidhjeve ndërsektoriale, përveç industrive tradicionale dhe promovon diversifikimin në bazë të këtyre lidhjeve. Duke qenë se S3 është një proces me pjesëmarrje të gjerë gjithëpërfshirëse, fushat prioritare nuk duhet të përcaktohen nga lart-poshtë vetëm nga politikëbërësit, por përkundrazi duhet të bien dakord përmes një dialogu gjithëpërfshirës midis palëve të interesuara në të gjithë sektorët dhe territorin, i quajtur si Enterpreneurial Discovery Process (EDP). Kjo përfshin ministritë dhe agjencitë qeveritare, sektorin privat, akademinë, institutet kërkimore dhe shoqërinë civile.

Në ditët e sotme, një fokus i fortë në politikat e inovacionit është edhe më urgjent për shkak të nevojës në rritje për të adresuar sfidat shoqërore të dekadës së fundit.

Realizimi i S3 në vendet e Ballkanit Perëndimor duhet parë brenda kontekstit të strategjisë së zgjerimit të BE-së, e cila ofron një perspektivë pranimi dhe parashikon mbështetje për disa fusha të politikave, duke përfshirë zhvillimin socio-ekonomik.

 

Procesi i dizenjimit të S3 në Shqipëri 

Shqipëria filloi procesin e projektimit të S3 të saj në vitin 2016 nën përgjegjësinë e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Vendimi lidhej edhe me reformën e arsimit të lartë, si nevojë për një bashkëpunim më të mirë mes institucioneve të arsimit të lartë (IAL) dhe bizneseve për një përafrim më të mirë me objektivat e zhvillimit rajonal dhe kërkesat e tregut të punës. Një event kombëtar i organizuar në dhjetor 2016 me mbështetjen e TAIEX mblodhi së bashku një numër të madh aktorësh dhe institucionesh dhe, nga tryezat e rrumbullakëta, u krijua një grup pune informal me ekspertë të ndryshëm. Ai punoi me qëllim zhvillimin e S3 deri në zyrtarizimin e tij në vitin 2018. Në vitin 2017 Shqipëria u regjistrua në platformën e Qendrës së Përbashkët të Kërkimit (JRC) të Komisionit Evropian për S3 dhe në vitin 2018 grupi informal i punës me përfaqësues nga institucione të ndryshme, duke përfshirë biznesin dhe akademinë, është zyrtarizuar me urdhër të ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Më shumë aktorë kryesorë u përfshinë duke krijuar një grup më të gjerë si vijon:

  • Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë,
  • Ministria e Financave dhe Ekonomisë,
  • Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit,
  • Unioni Kombëtar i Prodhuesve,
  • Agjencia për Zhvillimin Rajonal,
  • IAL-të,
  • Bashkia Tiranë, etj.

Ekipi i S3 krijoi gjithashtu Ekipin Analitik Kombëtar me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga institucione të ndryshme dhe ekspertë si INSTAT, Departamenti i Statistikave në Universitetin e Tiranës, AIDA, Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale, etj. U organizuan disa aktivitete për hartimin e S3 dhe seminare trajnimi për ngritjen e kapaciteteve.

Ndërkohë, S3 u bë pjesë e agjendës rajonale të WB6, si pjesë e shtyllës Smart Growth në MAP REA (përgjegjëse ishte Ministria e Financave dhe Ekonomisë), si dhe pjesë e dy kapitujve në kuadër të integrimit europian të Shqipërisë. Për të ndihmuar ekonomitë e Ballkanit Perëndimor në procesin e projektimit të S3 respektivë, JRC e KE-së ka zhvilluar një Kuadër të S3 që përfshin të gjithë hapat që parashikohet të ndiqen deri në draftimin përfundimtar të dokumentit strategjik dhe që mund të përdoret si udhëzues.

Ekipi shqiptar S3 hartoi një Udhërrëfyes për S3 bazuar në Kuadrin e JRC dhe deri më tani janë ndërmarrë disa hapa për të zhvilluar një Strategji në nivel kombëtar por duke mbajtur parasysh perspektivën rajonale me fokus në potencialin e 12 qarqeve të Shqipërisë.  

Identifikimi i fushave prioritare paraprake të S3 për Shqipërinë

Shqipëria finalizoi hapat e parë të analizës së kontekstit, sipas Kuadrit S3, nëpërmjet hartëzimit sasior dhe cilësor të potencialit ekonomik, inovativ, shkencor dhe teknologjik të vendit. Raportet respektive kanë kryer një identifikim të parë të atyre fushave ekonomike dhe prodhuese që mund të konsiderohen potencialisht në përzgjedhjen e fushave prioritare për S3. Më shumë informacion mund të gjeni në këtë link.

Entrepreneurial Discovery Process (EDP)

Koncepti i EDP thekson rëndësinë e përfshirjes së aktorëve kyç dhe mundësive të reja për të përcaktuar fushat prioritare. EDP pranon që qeveritë rajonale ose kombëtare nuk kanë mençurinë e natyrshme apo njohuri ex-ante për prioritetet e ardhshme. Kjo fazë vjen pas asaj të hartëzimit dhe  thellohet në sektorët dhe nënsektorët e identifikuar më parë dhe diskuton për nevojat dhe instrumentet (politikat, masat dhe ato financiare) që duhet të ndërmerren në mbështetje të  inovacionit, si dhe të eksploron dhe definon më tej sektorët që, bazuar në konsultimet, mund të kenë interes më të madh ose më të vogël nga palët e interesuara krahasuar me sektorët që u identifikuan fillimisht . EDP u realizua nëpërmjet grupeve të punës në të gjithë vendin me pjesëmarrjen e ekspertëve dhe palëve të interesuara nga helika e katërfishtë – qeverisja qendrore dhe vendore, akademia, biznesi dhe shoqëria civile, dhe identifikoi sfidat dhe nevojat, si dhe aktivitetet inovative me interes për këta aktorë. Ky proces konsultativ dhe pjesëmarrës është ai që e dallon kryesisht S3 nga politikat tradicionale të industrisë dhe inovacionit. Të dhënat/gjetjet nga grupet e punës të EDP plotësuan dhe zhvilluan më tej rezultatet e dala nga faza e mapping me qëllim përgatitjen e S3. Faza e EDP përfshiu aktivitete të ndryshme në nivel kombëtar si tryeza të rrumbullakëta dhe workshop-e, por dhe takime bilaterale me vendet fqinje, të cilat u zhvilluan nga tetori 2022 deri në korrik 2023Ekspertët kombëtarë të S3 lehtësuan diskutimin dhe ndihmuan në mbledhjen e të dhënave.  Ata, të mbështetur nga JRC e KE-së, organizuan rreth 30 evente kombëtare dhe 3 bilaterale me vendet fqinje Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, duke siguruar një metodologji gjithëpërfshirëse për diskutimin e sektorëve dhe nënsektorëve prioritarë.

Eventi përmbyllës i EDP u mbajt më 31 tetor 2023 dhe përshkroi rezultatet e fazës dhe hapat e ardhshëm drejt finalizimit të Strategjisë së Specializimit Inteligjent (S3). Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin përfaqësues nga helika e katërfishtë (zyrtarë të qeverisë, akademia, biznesi dhe shoqëria civile), ambasadorë, përfaqësues të misioneve diplomatike dhe organizata ndërkombëtare.

Faza e EDP ndihmoi në përcaktimin e fushave prioritare dhe vizionit që aktorët e helikës së katërfishtë kanë për zhvillimin inovativ të këtyre sektorëve prioritarë.

Identifikimi i fushave prioritare të S3 dhe draftimi i Strategjisë

Ekipi Kombëtar i S3, në bashkëpunim me koordinatorët e institucioneve pjesë të Komitetit Ndërministror të S3, të drejtuar nga Zv.Kryeministrja znj. Belinda Balluku, si dhe me mbështetjen e JRC te Komisionit Evropian dhe ekspertëve të fushave specifike të angazhuar në kuadër të projektit EU4Innovation, bazuar në raportin e dalë nga EDP evidentuan fushat prioritare (link) dhe përgatitën draftin e S3.

Kjo fazë është zhvilluar në konsultim të vazhdueshëm me aktorët kryesorë me mbi 120 takime individuale ose në grup me palët e interesuara apo përfaqësues të qeverisë për të diskutuar masa specifike. Drafti përfundimtar i S3 u diskutua në Bllokun Ekonomik të Qeverisë konsultua me JRC e KE..

Drafti përfundimtar u publikua për konsultim publik. Versioni final i draftit të S3 u përcoll për miratim nga Këshilli i Ministrave.

 

Miratimi i strategjisë

Në datë 26.12.2024, me vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 824, është miratuar Strategjia Kombëtare e Specializimit Inteligjent (S3) 2025-2030 dhe e planit të veprimit për zbatimin e saj.

Koordinimi ndërinstitucional dhe aktorët e përfshirë

Përmes urdhërit të Kryeministrit, është ngritur Komiteti Ndërministror, i ngarkuar me ndjekjen, hartimin dhe implementimin e Strategjisë S3, i cili drejtohet nga Zëvendëskryeministrja, Znj. Belinda Balluku.

Ndër detyrat kryesore të Komitetit janë të sigurojë mbarëvajtjen në kuadër të hartimit dhe implementimit të S3, të nxisë bashkërendimin në nivel të lartë të institucioneve, me qëllim orientimin dhe udhëheqjen e punës, në përputhje me S3.

Kjo strategji është parashikuar të jetë një strategji ombrellë, që prek një sërë sektorësh, dhe përfshin një numër të konsiderueshëm institucionesh qendrore dhe vendore.

Pjesë e Komitetit Ndërministror të S3 janë anëtarët e mëposhtëm :

- Ministrin e Financave dhe Ekonomisë

- Ministrin e Arsimit dhe Sportit;

- Ministrin e Shtetit per Mbrojtjen e Sipërmarrjes;

- Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;

- Ministrin e Turizmit dhe Mjedisit;

- Ministrin e Kulturës;

- Ministrin e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;

- Ministrin e Shtetit për Standardet e Shërbimeve;

- Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Shtetërore për Programimi Strategjik dhe Koordinimin e Ndihmës (SASPAC);

- Drejtorin e Përgjithshëm të INSTAT-it;

- Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA);

- Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI);

- Drejtorin e Përgiithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale;

- Drejtuesin e Ekipit Kombëtar të S3;

- Kryetari i Konferencës së Rektorëve

- Kryetari i Akademisë së Shkencave

- Drejtuesi i Bashkimit të Dhomave të Tregtisë

- Drejtuesi i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë

- Kryetari i Shoqatës për Autonominë Vendore

 

Ekipi Kombëtar i S3 (EKS3) është strukturë në nivel teknik, e cili jep kontribut direkt në procesin e hartimit të strategjisë. Pjesë e EKS3 janë përfaqësues të institucioneve/organizatave të ndryshme bashkëlidhur listës.

Komiteti Ndërministror u ngarkua me përgjegjësitë thelbësore të monitorimit, hartimit dhe zbatimit të Strategjisë S3. Komiteti i drejtuar nga Zv. Kryeministrja znj. Belinda Balluku ka një rol kryesor në nivel politik në kuadër të hartimit dhe implementimit të S3. Një nga funksionet e tij kryesore ishte nxitja e koordinimit të nivelit të lartë të institucioneve për të drejtuar punën në përputhje me objektivat e strategjisë S3.

Ekipi Shqiptar i S3, i përbërë nga ekspertë e teknikë të sektorëve të ndryshëm, hartoi një Udhërrëfyes S3 bazuar në Kuadrin e JRC për zhvillimin e një Strategjie të Specializimit inteligjent në nivel kombëtar dhe, në të njëjtën kohë, duke mbajtur një perspektivë rajonale.

EKS3  ka kontribuar drejtpërdrejt në procesin e zhvillimit të strategjisë përmes mbledhjes dhe analizës së të dhënave, përcaktimit të vizionit, objektivave strategjike dhe planit të veprimit specifik, bazuar dhe në konsultimet e kryera me aktorët e helikës së katërfishtë, si dhe sigurimin e zbatimit të të gjitha komponentëve të përcaktuara në planin e aktiviteteve (roadmap), përfshirë përditësimin e këtij plani në bashkëpunim me JRC dhe Komisionin Evropian.

Implementimi 

Implementimi i S3 udhëhiqet nga një model i fortë qeverisës, që përfshin aktorët e mëposhtëm:

  1. Komiteti Ndërministror – Udhëhequr nga Zëvendëskryeministri dhe mbështetur nga Ekipi S3 i Shqipërisë (krijuar me Urdhër të Kryeministrit):
    • Komiteti është trupi më i lartë vendimmarrës, përgjegjës për verifikimin e rezultateve nga proceset e monitorimit, përditësimin e Planit të Veprimit, formimin e grupeve tematike të punës, angazhimin e ekspertëve dhe përputhjen me strategjitë sektorale dhe iniciativat.
    • Ekipi Kombëtar i S3 mbikëqyr koordinimin teknik dhe raportimin kombëtar dhe ndërkombëtar mbi përparimin e S3.
  2. Njësia e Monitorimit të S3 – në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ndjek realizimin e aktiviteteve të S3, përfshirë ato të financuara përmes Planit të Rritjes, dhe vepron si Sekretariati Teknik për Komitetin Ndërministror, duke ofruar raporte implementimi çdo 6 muaj.

Ekipi Kombëtar i S3 siguron një dialog të strukturuar me institucionet kryesore përgjegjëse për zbatimin e iniciativave të S3, duke përqendruar vëmendjen në planifikimin e detajuar, raportimin e përparimit dhe shpërndarjen e burimeve, duke bashkëpunuar ngushtësisht me me institucionet përgjegjëse në nivel administrativ dhe politik.