Procesi i Identifikimit nga Sipërmarrja (EDP)

Procesi i Zbulimit përmes Sipërmarrjes (EDP – Enterpreneurial Discovery Process) është i lidhur me evidentimin e fushave prioritare të investimeve në kuadër të strategjisë së specializimit inteligjent duke u mbështetur në një proces gjithëpërfshirës me përfaqësues të sipërmarrjes dhe palëve të interesuara sipas dinamikave të tregut.

Procesi i EDP është kusht për t’u ndjekur nga çdo vend që përfshihet në hartimin e S3 si pjesë e metodologjisë së përcaktuar nga kuadri përkatës për S3 i Qendrës së Përbashkët Kërkimore të Komisionit Evropian (JRC- Joint Research Center)

Ky është një proces ndërveprues dhe gjithëpërfshirës në të cilin aktorët përkatës diskutojnë mbi mundësitë për zhvillim, sipas fushave prioritare të identifikuara në kuadër të vlerësimit e hartëzimit (mapping) kombëtar të kapaciteteve e potencialeve kombëtare për specializimin inteligjent.

Procesi i EDP e dallon hartimin e S3 nga strategjitë dhe politikat e tjera tradicionale në fushën e zhvillimit social ekonomik.

Bashkëpunimi me aktorët e interesuar sipas qasjes së “Helikës së Katërfishtë” (Quadruple Helix), ku marrin pjesë përfaqësues nga qeverisja qendrore e lokale, bota akademike, biznesi e shoqëria civile, përbën elementin kryesor që qëndron në themelin e hartimit të S3.

Nga ana tjetër në kuadër të procesit të negociatave të Shqipërisë për aderimin në Bashkimin Evropian  duhet theksuar se hartimi i një strategjie të specializimit inteligjent në bazë të metodologjisë së EDP, përbën kushtin kryesor për çdo vend që synon të përfitojë nga Fondi Evropian i Zhvillimit Rajonal (ERDF) "Qeverisja e mirë e strategjisë kombëtare ose rajonale të specializimit inteligjent" (2021-2027). Megjithatë, zbatimi është një qasje sfiduese për shumicën e rajoneve dhe vendeve evropiane.

Në bazë të eksperiencës së vendeve të ndryshme që kanë kaluar nëpër këtë fazë, EDP kërkon që qeveritë të veprojnë si platforma për të mundësuar, mbështetur dhe nxitur pjesëmarrjen e palëve të interesuara në procesin e politikë bërjes. Procesi ka evoluar në një aktivitet të vazhdueshëm, duke filluar me identifikimin e prioriteteve të gjera gjatë përcaktimit të  Strategjive të Specializimit Inteligjent, dhe duke garantuar pjesëmarrjen e palëve të interesuara gjatë gjithë zbatimit të strategjisë. Si një aktivitet i vazhdueshëm gjatë zbatimit të S3, EDP kërkon që institucionet publike të përshtatin legjislacionin dhe strukturën institucionale në mënyrë që të garantojnë në mënyrën e duhur këtë përfshirje e pjesëmarrje aktive nga ana e sektorit të biznesit. Në këtë kuadër është thelbësore ndërtimi i kapaciteteve për të nxitur një angazhim sa më të madh të palëve të interesuara dhe koordinimin efektiv të këtij procesi. Për shembull, ekziston nevoja për ngritjen e kapaciteteve në lidhje me 'vendimmarrjen bashkëpunuese', 'lidershipin e përbashkët', 'aftësitë e komunikimit', mënyra të të menduarit/të vepruarit, etj. Në këtë rast mbajtja e palëve të interesuara të informuara, duke i garantuar se mendimet, idetë e sugjerimet e tyre kontribuojnë në proceset e politikë bërjes, ndihmon në ruajtjen e interesit dhe përfshirjen e tyre në këtë proces. Komunikimi sa më efektiv mund të ndihmojë gjithashtu për të gjetur partnerët e duhur përgjatë zhvillimit të EDP, veçanërisht kur ato shfaqin interes të ulët për t’u përfshirë.

Në tërësi, Strategjitë e Specializimit Inteligjent që po hartohen do ta përmirësojnë më tej EDP duke synuar një qasje sa më efektive e gjithëpërfshirëse.