Intro: link
Në datë 31 Tetor 2023 u zhvillua në Tiranë konferenca:
Shqipëria Inteligjente: Prioritetet dhe Vizioni për të Ardhmen
Konferenca u hap me fjalën e Zëvendëskryeministres dhe njëkohësisht Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë Znj. Belinda Balluku, e cila drejton gjithashtu dhe Komitetin Ndërministror të S3, dhe u pasua me fjalën e Z. Emanuele Fabbri, përfaqësues i Joint Research Center të Komisionit Europian dhe atë të Znj. Linda Pustina, Drejtuese e Ekipit Kombëtar të S3 dhe njëkohësisht Këshilltare e Zëvendëskryeministres.
Fjalët hyrëse u pasuan nga 3 panele mjaft interesante:
1. Energjia e Rinovueshme dhe Burimet Natyrore: Shqipëria drejt Lidershipit Rajonal
2. Inovacioni dhe Zhvillimi në Bujqësi: Transformimi në një Zinxhir Ushqimor të Shëndetshëm dhe të Qëndrueshëm
3. Rrugëtimi i Shqipërisë drejt Turizmit të Ekselencës dhe Ruajtjes së Traditës
Zëvendëskryeministrja, znj. Belinda Balluku, në fjalën e saj falenderoi Ekipin Kombtar të S3, jo vetem për punën e bërë për përgatitjen e S3, por edhe për koordinimin me sukses të një procesi konsultativ gjithëpërfshirës, një model dhe metodologji konsultimi që do të shërbejë si një udhërrëfyes për të gjitha programet, strategjitë dhe reformat që do të ndërtohen në të ardhmen, duke përfshirë kështu të gjithë aktorët e helikës së katërfishtë (qeverisje qendrore dhe vendore, akademi, biznes dhe shoqëri civile) që në fazat e para të hartimit të dokumenteve strategjikë. Nga ky konsultim u identifikuan dhe sektorët prioritarë ku investimi në inovacion e teknologji do të përbëjë vlerë të shtuar për ekonominë.
Zëvendëskryeministrja theksoi se Shqipërisë i duhen profesionistët më të mirë që të përcjellin inovacionin dhe praktikat transformuese, për të udhëhequr ndryshimin. Iniciativat e përbashkëta rajonale do të ndihmonin për të adresuar objektiva strategjikë në fushat e energjisë, bujqësisë, turizmit, industrisë përpunuese dhe fusha të tjera të rëndësishme.
Znj. Balluku vuri theksin tek rëndësia e diversifikimit të burimeve të energjive të rinovueshme, si dhe të shfrytëzimit të përgjegjshëm të burimeve natyrore në vend, si dhe të përfshirjes së Shqipërisë në zinxhirët e vlerës së BE-së, që do të jetë një garanci e shtuar për sigurimin e lëndëve të para në tregun Evropian, por dhe angazhimi i Shqipërisë për të realizuar objektivat e Samitit të Berlinit, që u mbajt në Tiranë në Tetor 2023, dhe të Deklaratës së Sofjes për Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Përfundimet e nxjerra nga tryezat e konsultimit në kuadër të S3 përkojnë me këto objektiva dhe me disa nga strategjitë kryesore në vend. Po ashtu solli në vëmendje rëndësinë e ndërlidhjes, transportit, bujqësisë dhe sigurisë ushqimore, zhvillimit rural të qendrueshëm, mbrojtjes së mjedisit dhe biodiversitetit, përfshirjes së inovacionit dhe teknologjisë në çdo sektor të identifikuar si prioritar, përfshirjes së diasporës dhe brain circulation, nevojave për reforma për përmirësimin e kurrikulave të edukimit në të gjitha nivelet nga ai fillor në atë universitar, për edukimin gjatë gjithë jetës dhe in job training, dhe në fusha të tjera që do të ndikojnë direkt në rritjen e burimeve dhe kapaciteteve njerëzore, si kapitali më i rëndësishëm për vendin.
Znj. Balluku solli në vëmendje se reformat që po ndërmerr Qeveria Shqiptare, vlerësojnë mundësinë e mbajtjes së talenteve dhe angazhimit të atyre profesionistëve të nderuar që janë në diasporë dhe kontribuojnë sot në sektorë kyç dhe që, me ngritjen e Agjencisë së Inovacionit dhe Ekselencës, Qeveria Shqiptare do të ketë mundësinë t’i ftojë për t’u bërë pjesë e këtij procesi të madh dhe për të ndihmuar në inovimin e sektorëve në fokus.
Znj. Balluku informoi, që në muajt në vijim do të përfundohet shkrimi i dokumentit të strategjisë S3, që është një prioritet i Qeverisë Shqiptare, për përgatitjen e të cilit do të angazhohen të gjitha ministritë dhe institucionet shtetërore, pjesë e Komitetit Ndërministror të drejtuar prej saj, për të realizuar në kohë dokumentin strategjik, i cili do të jetë një instrument i rëndësishëm për drejtimin e investimeve të ardhshme në fushat prioritare dhe në zhvillimin e bazuar në dije, kërkim shkencor dhe inovacion, duke mbështetur rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE.
Zëvendëskryeministrja u ndal dhe tek kërkimi shkencor, duke evidentuar se Shqipëria ka të gjithë potencialin e nevojshëm për ta zhvilluar atë, duke ngitur ura bashkëpunimi të ngushta mes qeverisë, biznesit, akademisë dhe shoqërisë civile, për të krijuar një habitat të përshtatshëm për ngritjen dhe funksionimin e qendrave kërkimore brenda institucioneve, qofshin universitete, njësi të biznesit, apo edhe njësi pranë ministrive apo agjencive që mbulojnë sektorë të rëndësishëm.
Znj. Balluku falenderoi JRC (Joint Research Centre) të Komisionit Evropian për mbështetjen e madhe që i ka dhënë ndër vite procesit të S3, si dhe Bashkimin e Prodhuesve Shqiptare për mbështetjen dhe facilitetet e mundësuara gjatë procesit të EDP-së.
Këtu mund të shikoni fjalën e plotë.
Z. Emanuele Fabbri, përfaqësues i JRC të Komisionit Evropian, hapi fjalën e tij duke prezantuar konceptin e "Specializimit inteligjent" si kapaciteti i një sistemi ekonomik për të gjeneruar specialitete të reja nëpërmjet zbulimit të fushave të reja dhe përqendrimit të burimeve dhe kapaciteteve në një territor të caktuar. Kombinimi mes zbulimit të mundësive, nga njëra anë, dhe përqendrimit të burimeve, nga ana tjetër, mund të çojë në zbulimin e fushave të reja prioritare dhe shtigjeve të zhvillimit.
Nisur nga ky koncept, “Strategjia e Specializimit Inteligjent ” (S3) përkufizohet si një agjendë e transformimit ekonomik të një territori drejt mundësive zhvillimore në fusha të veçanta prioritare, dhe parimet kryesore të tij janë mekanizmi i prioritizimit (identifikimi i fushave kryesore të ndërhyrjeve), transformimi strukturor i fushave prioritare (përmes modernizimit të sektorëve ekzistues ose ngritjes së sektorëve plotësisht të rinj) dhe dialogut me palët e interesuara (si një mekanizëm i bazuar sipas vendit që mundëson zbulimin e mundësive të reja).
Ai vlerësoi fjalët e Zëvendëskryeministres në lidhje me dialogun me palët e interesuara, që e konsideroi atë si shtyllë të vërtetë të këtij procesi.
Në fakt ai vuri në dukje se konsultimi me grupet e interesit është i rëndësishëm, jo vetëm për fazën e zbulimit të mundësive, por edhe për hartimin e Strategjisë, si një punë kolektive që lehtëson zbulimin e mundësive kryesore dhe përzgjedhjen ndërmjet alternativave.
Në dekadën e fundit ky model është zbatuar me sukses nga shtetet anëtare dhe autoritetet rajonale të BE-së, dhe është futur brenda disa prej kornizave kyçe të politikave Evropiane. Ky model është adoptuar gjithashtu nga ekonomitë në zgjerim brenda procesit të integrimit në BE dhe në vitin 2017 JRC zhvilloi një metodologji për të mbështetur ekonomitë në zgjerim në procesin e tyre të dizenjimit të S3.
Ai shpjegoi se procesi S3 kalon në 5 hapa:
Shqipëria ka përfunduar tashmë fazën e “dialogut me palët e interesuara” (EDP). Gjetjet kryesore janë mbledhur dhe tani është e rëndësishme të fillojë të përkthehen gjetjet në objektiva, mundësitë në synime dhe instrumente politikash.
Ai theksoi se S3 kërkon integrim ndërmjet politikave. Në fakt, S3 nuk ka të bëjë vetëm me "politikën e kërkimit dhe inovacionit", por ka të bëjë me "zhvillimin e drejtuar nga inovacioni", duke kontribuar në implementimin e objektivave të drejtuara nga inovacioni. Në këtë kuptim, ai përfaqëson një kuadër gjithëpërfshirës, që mbështet një vend drejt objektivave të drejtuara nga inovacioni.
Për hapat në vijim, sa i takon procesit të hartimit të S3 në Shqipëri, ai këshillon që të vihet në fokus targetimi i objektivave të S3; të përcaktohet si duhet perimetri i fushave prioritare; dhe në fund të fillojë diskutimi mbi të gjitha investimet e nevojshme për të arritur objektivat dhe më pas për të identifikuar instrumente të politikave të qëndrueshme.
Këtu mund të shikoni fjalën e plotë.
Znj. Linda Pustina, Drejtuese e Ekipit Kombëtar të S3 dhe njëkohësisht Këshilltare e Zëvendëskryeministres, theksoi rëndësinë e konsultimit gjithëpërfshirës gjatë EDP-së, ku u përfshinë rreth 1300 aktorë në 32 tryeza të rrumbullakëta dhe workshope, duke marrë pjesë aktivisht në diskutime dhe duke dhënë ide dhe sugjerime që identifikuan jo vetëm ndërhyrjet kryesore sektoriale si:
por dhe ato horizontale si TIK dhe Shërbimet Mbështetëse Digjitale, të cilat janë të rëndësishme për zhvillimin e sektorëve prioritarë vertikalë, sikurse janë dhe masat e tjera që duhet të ndërmerren domosdoshmërisht për këto sektorë, si: investimi në edukim, aftësim dhe kërkim shkencor, zhvillimi i kapitalit njerëzor, mbajtja dhe zhvillimi i talenteve dhe angazhimi i diasporës në jetën dhe zhvillimin ekonomik të vendit. përmirësimi i jetës sociale dhe rinore në zonat rurale duke incentivuar të rinjtë të qendrojnë aty dhe duke balancuar investimet në rajone të ndryshme në transport dhe ndërlidhje, infrastrukturë, shërbime digjitale dhe internet, shërbime shëndetësore dhe arsimore, dhe duke krijuar mundësitë për zhvillimin e talenteve dhe interesave të të rinjve në ato zona.
Znj. Pustina theksoi se përfshirja e diasporës përmes brain circulation, duke përcjellë njohuritë dhe aftësitë e fituara jashtë vendit, por dhe duke investuar në qytetet dhe fshatrat e origjinës, konsiderohet një potencial i vyer për Shqipërinë, dhe se ka ardhur momenti që Shqipëria ta kthejë migrimin e shqiptarëve në avantazh të saj, duke vlerësuar dhe shfrytëzuar pasurinë e madhe njerëzore që ka në diasporë.
Zhvillimi i cluster-ave, bashkimi i operatorëve të çdo sektori për të qenë më konkurrues, dhe përmirësimi i bashkëpunimit mes biznesit dhe akademisë, do të mundësojnë uljen e kostove dhe rritjen e konkurrueshëmrisë, duke u bërë më kompetitiv në rajon e më gjerë. Politikat stimuluese fiskale të investimeve të huaja dhe vendase, thjeshtimi i procedurave dhe ngarkesës administrative për biznesin dhe incentivimi i tyre për të investuar në kërkim dhe inovacion do të ndikojnë ndjeshëm në zhvillimin smart të këtyre sektorëve.
Znj. Pustina, theksoi se takimet bilaterale me vendet e rajonit Kosovë, Mal i Zi dhe Maqedoni e Veriut ishin vërtet produktive dhe në ato takime u propozuan iniciativa konkrete si ngritja e laboratorëve të përbashkët për certifikimin e produkteve bujqësore, realizimi i kurrikulave të përbashkëta, aplikimi në projekte dhe përthithjen e fondeve të BE-së, përgatitja e paketave turistike rajonale dhe një sërë sugjerimesh të tjera
Këtu mund të shikoni fjalën e plotë.
Eventi Final përfshiu 3 panele diskutimesh:
Paneli 1: “Energjia e Rinovueshme dhe Burimet Natyrore: Shqipëria drejt lidershipit rajonal”
Moderuar nga Z. Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë
Me panelistë:
Znj. Belinda Balluku, Zëvendëskryeministre & Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë
Z. Enea Karakaci, Drejtor i Përgjithshëm i OSHEE
Z. Constantin Von Alvensleben, CEO i Voltalia në Shqipëri
Z. Francesco Italiano, Managing Director, ENI SpA
PhD. Ledi Moisiu, Fakulteti i Gjeologji Minierave, Universiteti Politeknik i Tiranës
Znj. Rigela Gegprifti, CEO Statkraft Albania & Devoll Hydropoëer Sh.A.
Z. Dritan Nako, CEO Antea Cement Sh.A
Këtu mund të shikoni diskutimet në këtë panel.
Paneli 2: “Inovacioni dhe Zhvillimi në Bujqësi: Transformimi në një Zinxhir Ushqimor të Shëndetshëm dhe të Qëndrueshëm”
Moderuar nga Z. Enio Civici, Zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Me panelistë:
Znj. Anila Denaj, Ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Z. Balázs Révész, CEO Vodafone Sh.A.
Z. Fatbardh Sallaku, Rektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës
Z. Arbi Bamllari, CEO Skaitech Shpk.
Z. Ylver Bylykbashi, Sweet Farm, Dishnicë, Korçë
Znj. Evelina Azizaj, Koordinatore Kombëtare, Rrjeti Shqiptar për Zhvillim Rural
Këtu mund të shikoni diskutimet në këtë panel: Pjesa 1 Pjesa 2 Pjesa 3
Paneli 3: “Rrugëtimi i Shqipërisë drejt turizmit të ekselencës dhe ruajtjes së traditës”
Moderuar nga Znj. Florensa Haxhi, Drejtore e Zhvillimit të Biznesit, Korporata Shqiptare e Investimeve
Me panelistë:
Znj. Vilma Bello, Zëvendësministre e Turizmit dhe Mjedisit
Z. Andi Seferi, Nenryetar i Bashkisë së Tiranë
Prof. Asoc. Bernard Dosti, Zëvendësrektor, Universiteti i Tiranës
Znj. Blerina Bombaj, Kryetare e Shoqatës Shqiptare të Agriturizmit
Znj. Mariana Koceku, CEO Neomalsore, Nanbli, Vau i Dejës, Shkodër
Z. Sulejman Hysa, CEO Bee Therapy, Stërmas, Tiranë
Këtu mund të shikoni diskutimet në këtë panel.
Në këtë aktivitet gjithëpërfshirës morën pjesë ministra, dhe përfaqësues të agjencive dhe institucioneve pjesë e Komitetit Ndërministror të S3, përfaqësues të akademisë, shoqatave, biznesit dhe shoqërisë civile. Gjithashtu, në konferencë morën pjesë dhe ambasadorë dhe përfaqësues të përfaqësive diplomatike në vendin tonë, të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë dhe organizatave ndërkombëtare.
Takimi u mbajt në një format hibrid për të mundësuar ndjekjen e tij nga ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve të tjera jashtë vendit, përfaqësues nga diaspora, etj.
Takimi u ndoq nga 246 pjesëmarrës, nga të cilët, 10 e ndoqën online.
Shqipëria Inteligjente: Prioritetet dhe Vizioni për të Ardhmen - Agjenda