Bujqësia përbën një fushë prioritare me potencial inovativ për ekonominë, identifikuar në kuadër të Strategjisë për Specializim Inteligjent (S3) mbi bazën e një analize të detajuar të kapaciteteve, burimeve, si dhe avantazheve konkurruese që Shqipëria zotëron. Hartimi i S3 është pjesë e detyrimeve të Shqipërisë sa i takon procesit të negociatave për anëtarësim në BE, specifikisht në kapitullin 20 “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale” dhe kapitullit 25 “Shkenca dhe Kërkimi”, si dhe pjesë e planit të veprimit të Ballkanit Perëndimor 2021-2024, në kuadër të Procesit të Berlinit, gjithashtu, pjesë e agjendës së BE për inovacionin për Ballkanin Perëndimor 2021-2027.
Në këtë kontekst, Ekipi Kombëtar i S3, nën kujdesin e veçantë të Zëvendëskryeministres, znj. Belinda Balluku me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, organizoi sipas metodologjisë së Qendrës së Përbashkët Kërkimore të Komisionit Evropian (JRC), një tryezë të rrumbullakët për sektorin e bujqësisë me fokus zhvillimine ekonomisë blu dhe sigurisë ushqimore. Takimi u mbajt më 9 maj 2023, në mjediset e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Në event, ishin të pranishëm 24 përfaqësues nga të gjitha aktorët e Helikës së Katërfishtë (qeveri, akademi, biznes, shoqëri civile). Takimi nisi me fjalën hapëse të znj. Linda Pustina, kryetare e Ekipit Kombëtar të S3, Këshilltare e Zëvendëskryeministrit, e cila theksoi rëndësinë e këtij procesi. Në panel ishin të ftuar Z. Roland Kristo, Zv.Ministër në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, i cili e nisi diskutimin e tij mbi rolin që kanë politikëbërja mbi zhvillimin e potencialin e këtij sektori. Pjesë e panelit dhe facilitues të diskutimeve ishin dhe Znj. Valbona Paluka, Drejtor Ekzekutiv e Nukleus, fokusi i diskutimit të së cilës ishte roli thelbësor që ka biznesi për të investuar në inovacion, duke bërë të mundur arritjen e standardeve më të mira, gjetjen e teknologjive të përshtatëshme për të qenë konkurues në treg. Në panel nuk mund të mungonte përfaqësimi i akademisë, Prof. As. Dr. Edmond Hala, Zv. Dekan i Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit, specialist i ekonomisë blu, trajtoi rolin parësor që kanë përshtatja e kurrikulave për zhvillimin e kapitalit njerëzor, në bashkëpunim dhe me biznesin.
Të ftuarit diskutuan mes te tjerash për:
- Rëndësinë e aquakulturës dhe produktin final për konsumatorin shqiptar apo edhe për eksport;
- Ndikimin e teknologjisë dhe digjitalizimin e sektorit, i cili do të sjellë kosto financiare më të ulëta, duke mundësuar përmirësimin e standardeve për rritjen e peshkut, të aquakulturës, higjenën në varka, kushtet frigoriferike dhe deri tek transporti final;
- Mundësitë e financimit;
- Bashkëpunimin mes katër helikave me qëllim nxitjen e specializimit inteligjent;
- Masat strategjike të nevojshme për shfrytëzimin e potencialit të plotë të sektorit të peshkimit dhe akuakulturës, me fokus nxitjen e inovacionit dhe kërkimit shkencor;
- Rolin e rëndësishkëm i kërkimit shkencor dhe i akademisë.
Diskutimet e zhvilluara në këtë takim do të shërbejnë si bazë për workshop-in kombëtar në fushën e bujqësisë.