Më datë 12 Prill 2023 u zhvillua në ambientet e Hotel Marriott, Tiranë, eventi lanciues “Strategjia e Specializimit Inteligjent në Shqipëri (Smart Specialization Strategy - S3) – Procesi i Zbulimit përmes Sipërmarrjes (Entrepreneurial Discovery Process - EDP) në fushat prioritare kombëtare të S3”.
Takimi u hap nga Zëvendëskryeministrja dhe njëkohësisht Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë znj. Belinda BALLUKU, e cila theksoi se Strategjia e Specializimit Inteligjent do të jetë një prioritet i Qeverisë Shqiptare dhe një instrument i rëndësishëm për drejtimin e investimeve të ardhshme në fushat prioritare dhe në zhvillimin e bazuar në dije dhe inovacion, konsideruar rëndësinë e këtij procesi për vendin dhe ekonominë, por dhe të prioritizimit në kuadër të integrimit në BE, si pjesë e 2 kapitujve: Kapitullit 20 ”Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale” dhe Kapitullit 25 “Shkenca dhe Kërkimi”, si dhe pjesë e agjendës së BE për Ballkanit Perëndimor për Kërkimin, Inovacionin, Arsimin, Kulturën, Rininë dhe Sportet 2021-27 dhe planit të veprimit të Ballkanit Perëndimor 2021-24 në kuadër të Procesit të Berlinit.
Zëvendëskryeministrja solli në vëmendje se S3 parashikon një qasje të re metodologjike dhe mënyrë të re të ndërveprimit (Bottom Up Approach), ku përfshihen një sërë aktorësh nga qeverisja qendrore dhe vendore, biznesi, akademia dhe shoqëria civile, për të vënë në lëvizje këtë “helikë të katërfishtë”, duke e çuar drejt një shpejtësie e cilësie të re zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Me këtë qasje përfaqësues të sektorit të biznesit, akademisë, shoqërisë civile dhe qeverisë, përfshihen drejtpërdrejt për të identifikuar ato fusha apo nën-fusha të ekonomisë shqiptare ku duhet të specializohemi në mënyrë inteligjente.
Znj. Balluku theksoi se Qeveria Shqiptare e ka përqafuar me dëshirë e vullnet të plotë këtë qasje të veçantë strategjike e metodologjike, duke besuar se ajo ofron zgjidhjen më të mirë për ta zhvilluar e specializuar ekonominë shqiptare në mënyrë inteligjente, si dhe për të krijuar një frymë të re bashkëpunimi me aktorë të ndryshëm të biznesit, akademisë dhe shoqërisë civile, që shtron udhën për një bashkëpunim e bashkëbisedim afatgjatë që Qeveria Shqiptare ka nisur dhe ka dëshirë ta vazhdojë edhe pas miratimit të Strategjisë së Specializimit Inteligjent.
Nëse arrijmë të përcaktojmë siç duhet, veçanërisht me biznesin dhe aktorë të tjerë, si bota akademike e kërkimore shkencore, ato fusha ku ekonomia jonë mund të specializohet në mënyrë inteligjente, duke vlerësuar kapacitet njerëzore e kërkimore, do të mund të themi se kemi fituar një nga betejat e rëndësishme të sfidës për të qenë konkurrues në tregje.
Znj. Balluku e mbylli fjalën e saj duke theksuar se beson se zhvillimet e vrullshme teknologjike të sotme, apo të asaj që ka filluar të përkufizohet si “revolucioni i katërt industrial”, me sfidat e njohura e të panjohura që sjell robotizimi e inteligjenca artificiale, janë momenti i duhur për të bërë zgjedhje inteligjente dhe se kjo do të jetë sfida e viteve në vazhdim për t’u përballuar edhe me tranzicionin e gjelbër dhe atë digjital si domosdoshmëri për të ndryshuar dhe për t’u përmirësuar.
Z. Alessandro Rainoldi, Drejtor i Njësisë, DG JRC, Komisioni Evropian mbajti një fjalë përshëndetëse ku theksoi rëndësinë e një bashkëpiunimi të ngushtë mes qeverisë dhe përfaqësuesve nga të gjithë sektorët e heliksit të katërfishtë, për të finalizuar hartimin e S3. Gjithashtu, z. Rainoldi u shpreh se është thelbësore që qeveria shqiptare të përfshijë strategjinë S3 në planet kombëtare buxhetore, apo në planet e zhvillimit kombëtar, me qëllim që ky angazhim të sigurojë jo vetëm zbatimin efektiv të masave të përcaktuara në strategji, por gjithashtu të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë shqiptare.
Paneli i diskutimeve u drejtua nga gazetarja Aurora Sulce dhe pjesë e tij ishin Prof. As. Linda Pustina, Këshilltare e Zëvendëskryeministres dhe Kryetare e Ekipit Kombëtar të S3, znj. Elisa Gerussi, Dg JRC, Komisioni Evropian, znj. Niki Naska, DG RTD, Komisioni Evropian, z. Ilir Beqaj, drejtor i SASPAC dhe z. Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë.
Në fjalën e saj hyrëse, znj. Aulona Sulce, një nga moderatoret e aktivitetit, theksoi rëndësinë e strategjisë së specializimit inteligjent për nxitjen e inovacionit dhe konkurrencës në Shqipëri. Znj. Sulca foli për sfidat e inovacionit, digjitalizmit dhe rolin që do të luajë ky instrument në nxitjen e zhvillimit ekonomik në Shqipëri duke digjitalizuar sektorë me potencial zhvillimi.
Znj. Pustina theksoi rëndësinë e procesit të S3 dhe hapat e ndjekur që prej fillesave të tij, rëndësinë e përfshirjes së të gjithë aktorëve në proces dhe sfidat e tij, si dhe ilustroi prioritetet e evidentuara gjatë fazës së mapping si: Turizmi, Bujqësia, Energjia, Manifaktura, ICT dhe BPO, përfshirë dhe disa fusha ndërsektoriale si: Ekonomia Blu, Ushqimi i Shëndetshëm, Energjitë e Rinovueshme, BPO e zgjeruara, të cilat do të eksplorohen më tej gjatë fazës së konsultimit me aktorët e helikës së katërfishtë në muajt në vijim. Ajo shtoi se përgjatë këtij procesi është bërë një studim i parë mbi cluster-at me mbështetjen e Komisionit (KE) , si dhe janë identifikuar nevojat për të patur një studim mbi nevojat e tregut për aftësi dhe kualifikime, për të patur një angazhim të diasporës shqiptare si një aset i kapitalit njerëzor për vendin dhe instrumentat që mund të përdoren për këtë qëllim. Gjithashtu, si çështje për t’u eksploruar dhe adresuar me tej deri në përfundimin e strategjisë mbeten: clusterat si një mjet për të mbyllur ciklet e zinxhirit të prodhimit, kapitali njerëzor dhe aftësitë, si një çështje e ndjeshme dhe e evidentuar si mangësi në të gjithë fushat prioritare nga analiza e mapping dhe nga këtu nevoja për përfshirjen e diasporës, politikat e bazuara në evidenca, si një nga çështjet për t’u patur në vëmendje bazuar në eksperiencën gjatë procesit të mapping, si dhe politikat industriale, si një komponent i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik, për të cilat do të duhet të ketë një dokument të mirëfilltë, si dhe të adresohen në kuadër të kësaj strategjie.
Ajo theksoi se S3 do të finalizohet sipas afateve të parashikuara brenda qershorit 2024 dhe se angazhimi maksimal i të gjithë aktorëve është kyç për arritjen e objektivit, si dhe falënderoi Kryeministrin, Zëvendëskryeministren dhe të gjithë Ministrat dhe anëtarët e Komitetit Ndërministror për vëmendjen kushtuar këtij procesi dhe për angazhimin në këtë fazë të rëndësishme të konsultimit. Po ashtu, një falenderim iu drejtua dhe institucioneve ndërkombëtare që kanë mbështetur procesin: Komisionit Evropian: DG JRC dhe DG Research and Innovation, jo vetëm për mbështetjen e këtij procesi, por dhe për iniciativa të tjera në kontekstin e kërkimit dhe inovacionit që kanë qenë thelbësorë në kuadër të S3. JRC ka ofruar gjithashtu, ekspertizat e nevojshme dhe trajnimet përgjatë gjithë këtij procesi, si dhe ka orientuar Ekipin Kombëtar të S3 në hapat e ndjekur, konsideruar që S3 po hartohet për herë të parë nga vendet e WB6. Ajo falenderoi Delegacionin e BE në Tiranë dhe ZSI Austri për mbështetjen e ofruar për fazën e EDP. Një falenderim i veçantë i shkoi ekspertëve të Ekipit Kombëtar të S3, të cilët me angazhimin dhe pasionin e tyre kanë qenë mbështetësit e palodhur në këtë proces me gjithë vështirësitë e hasura.
Z. Beqaj evidentoi rëndësinë që duhet të ketë Strategjia e Specializimit Inteligjent në Shqipëri (S3), lidhjen me SKZHI dhe strategjitë makro-rajonale, si dhe rëndësinë e mbështetjes nga partnerët për zhvillim dhe KE përmes fondeve të dedikuara të cilat duhet të rriten me rritjen e sfidave në kuadër të integrimit në BE. Z. Beqaj theksoi rëndësinë e rakordimit me kuadrin strategjik dhe evidentimin e indikatorëve monitorues, si dhe marrjen parasysh të adresimit të sfidave që mund të cënojnë procesin.
Znj. Gerussi prezantoi metodologjinë e JRC, kontributi i të cilit është i orientuar kryesisht në tre fusha kryesore që janë:
1) Mbështetja e vendeve për të krijuar një strategji të duhur qeverisjeje për të qenë përgjegjëse për përgatitjen e strategjisë;
2) Ndihma në përcaktimin e instrumenteve dhe procesit të politikave të nevojshme për zbatimin e kësaj strategjie dhe
3) Ngritjen e kapaciteteve institucionale të nevojshme për përgatitjen e kësaj strategjie.
Znj. Gerussi përmendi gjithashtu se procesi i EDP-së po zhvillohet aktualisht në disa vende të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë, Shqipëria është aktualisht në fazën e EDP-së, së bashku me Kosovën dhe Ukrainën.
Ndërsa znj. Naska nënvizoi rëndësinë e inovacionit në uljen e kostove, përmirësimin e cilësisë së produkteve, përmbushjen e kërkesave të tregut, krijimin e vendeve të punës dhe nxitjen e ndikimeve pozitive në fusha të shumta, të cilat të gjitha kontribuojnë në rritjen ekonomike të Shqipërisë. Ajo theksoi gjithashtu rolin kritik të Strategjisë së Specializimit Inteligjent në Shqipëri për të adresuar boshllëqet ekzistuese të inovacionit brenda vendit. Sipas saj, kjo strategji është një mundësues kyç për promovimin e qëndrueshmërisë përballë zhvillimeve teknologjike, që ndryshojnë me shpejtësi. Gjithashtu, ajo diskutoi në lidhje me rëndësinë e S3 në kontekstin e Agjendës së Ballkanit Perëndimor, si dhe të iniciativave të tjera të rëndësishme ku Shqipëria është e përfshirë.
Gjithashtu, z. Arben Shkodra diskutoi mbi rolin dhe rëndësinë e përfshirjes së biznesit në këtë proces dhe theksoi se për herë të parë në Shqipëri po kryhet një proces me një qasje të re, i cili po përfshin që në fazën e hartimit të gjithë aktorët e helikës së katërfishtë. Mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar, e cila mund të trajtohet jo vetëm duke përmirësuar kapacitetin e burimeve njerëzore, por edhe duke promovuar robotikën dhe digjitalizimin. Z. Shkodra theksoi nevojën e krijimit të një platforme të përbashkët për të informuar biznesin shqiptar për mundësi të ndryshme financimi. Sfida e mungesës së kërkimit shkencor, nxorri në pah nevojën për hartimin e një strategjie kërkimore-shkencore dhe krijimin e instituteve kërkimore në Shqipëri, të cilat aktualisht janë inekzistente.
Në këtë aktivitet morën pjesë një sërë autoritetesh të cilët u angazhuan dhe në sesionin e diskutimeve me përfaqësues të biznesit: z. Eduard Shalsi, Kryetar i Komisionit Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, anëtarë të Komitetit Ndërministror për hartimin dhe implementimin e S3: znj. Mirela Kumbaro, Ministre e Turizmit dhe Mjedist, znj. Frida Krifca, Ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, znj. Elva Margariti, Ministre e Kulturës, znj. Milva Ekonomi, Ministre e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, znj. Edona Bilali, Ministre e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, znj. Elsa Dhuli, Drejore e INSTAT, Prof. Skënder Gjinushi, Kryetar i Akademisë së Shkencave, Prof. Artan Hoxha, Kryetar i Konferencës së Rektorëve, znj. Ines Mucostepa, Kryetare e Bashkimit të Dhomave të Tregëtisë, anëtarët e Ekipit Kombëtar të S3, si dhe Rektorë e përfaqësues nga institucione të arsimit të lartë publik dhe privat, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Bashkia Tiranë, AIDA, agjenci varësie të ministrive të ndryshme, shoqata dhe përfaqësues të biznesit, shoqërisë civile, partnerët për zhvillim, si dhe ekspertë vendas e të huaj që veprojnë në vendin tonë. Në takim morën pjesë dhe ambasadorë dhe përfaqësues nga ambasadat e vendeve fqinjë dhe përfaqësues nga Delegacioni i BE në Tiranë.
Takimi u mbajt në një format hibrid për të mundësuar ndjekjen e tij edhe nga përfaqësues të Komisionit Evropian, organizatave të BE dhe vendeve partnere, ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve të tjera jashtë vendit, përfaqësues nga diaspora, etj.
Në këtë takim morën pjesë 155 pjesëmarrës nga të cilët 17 online.
Takimi ndihmoi për të informuar të gjithë aktorët për procesin e S3, rëndësinë që ky proces ka për Qeverinë Shqiptare, si dhe interesin e aktorëve të helikës së katërfishtë për të qenë pjesë në këtë proces. Gjithashtu, takimi shërbeu për të filluar një diskutim të gjerë dhe me një qasje të re mes qeverisjes qendrore/vendore, biznesit, akademisë dhe shoqërisë civile, duke vendosur një standard të ri në bashkëpunimin mes aktorëve dhe konsultimit në procesin e politikëbërjes.
Video e eventit hapës: link