Bujqësia është identifikuar si një nga fushat prioritare me potencial inovativ gjatë fazës mapping të zhvilluar në kuadër të Strategjisë për Specializimin Inteligjent (S3). Hartimi i S3 është pjesë e detyrimeve të Shqipërisë sa i takon procesit të negociatave për anëtarësim në BE, specifikisht Kapitullit 20 “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale” dhe Kapitullit 25 “Shkenca dhe Kërkimi” si dhe pjesë e planit të veprimit të Ballkanit Perëndimor 2021-2024, në kuadër të procesit të Berlinit, gjithashtu, pjesë e agjendës së BE për inovacionin për Ballkanin Perëndimor 2021-2027.
Në këtë kontekst, Ekipi Kombëtar i S3, me mbështetjen e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, organizoi, sipas metodologjisë së Qendrës së Përbashkët Kërkimore të Komisionit Evropian (JRC), një tryezë të rrumbullakët për blegtorinë më 18 nëntor 2022.
Në këtë event morën pjesë rreth tridhjetë përfaqësues nga helika e katërfishtë (qeveri, akademi, biznes, shoqëri civile). Pjesëmarrësit dhanë një kontribut të çmuar duke shpalosur nevojat e sektorit dhe zgjidhjet e mundshme për zhvillimin inteligjent në blegtori.
Takimi nisi me fjalën përshëndetëse të tre prej anëtarëve të panelit: z. Arian Jaupllari, Zëvendësministër i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural; z. Agim Rrapaj, kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar (KASH) dhe z. Alban Zusi, drejtor ekzekutiv i Industrisë Shqiptare Ushqimore (AFI). Z.Arben Shkodra, sekretar i përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptare, pjesë e panelit të tryezës, orientoi diskutimin në dy pjesë. Pjesa e parë e takimit kishte në qendër sfidat, mundësitë dhe perspektivën për zhvillimin e sektorit të blegtorisë, ndërsa në pjesën e dytë u analizua rrugëtimi drejt një specializimi inteligjent në sektorin e blegtorisë.
Biseda mes pjesëmarrësve u fokusua mes të tjerash edhe te:
- Masat strategjike të nevojshme për shfrytëzimin e potencialit të plotë të sektorit të blegtorisë, me në fokus nxitjen e inovacionit dhe kërkimit shkencor;
- Rëndësia e kërkimit shkencor;
- Përparësitë që ofron teknologjia në sektor;
- Lidhja e këtij sektori me sektorë të tjerë dhe me rivitalizimin e zonave rurale;
- Nevoja për investime inteligjente;
- Bashkëpunimi mes katër helikave me qëllim nxitjen e specializimit inteligjent;
- Problematikat që lidhen me kapacitet njerëzore, me emigrimin e forcës punëtore dhe brain drain, si dhe me akademinë.
Diskutimet e zhvilluara në këtë takim do të shërbejnë si bazë për workshop-in kombëtar në fushën e bujqësisë.